Ndryshimet ligjore për lejet e mjedisit, të publikuara në Fletoren Zyrtare, parashikojnë rregulla dhe sanksione për mbajtësit e lejeve të mjedisit.
Tashmë tarifat për lejet e tipeve A dhe B do të paguhen në llogarinë e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. Po kështu edhe operatorët e instalimeve të tipave A dhe B për tarifën vjetore.
Mospagesa e tarifës së lejes apo gjobave administrative, dënimi i mbajtësit të lejes për vepra të tjera penale në fushën e mjedisit përbën shkak për pezullimin e lejes së mjedisit. Ndërsa, dhe në rast të mospërmbushjes së kërkesave dhe mosrespektimit të lejes përkatëse dhe kjo ka çuar në rrezik ndotjeje të pakthyeshme të mjedisit vendoset shfuqizimi i lejes së mjedisit.
Po kështu janë shtuar shumat e gjobës në rast kundërvajtjeje. Më konkretisht, Subjekti, që zhvillon veprimtari pa lejen përkatëse të mjedisit të tipit A, dënohet me gjobë në vlerën nga 1 300 000 deri në 2 600 000 lekë;
-pa lejen përkatëse të mjedisit të tipit B dënohet me gjobë në vlerën nga 650 000 deri në 1 300 000 lekë, duke u shtuar me vlerën 10 për qind të masës së gjobës çdo ditë deri në plotësimin e detyrimit;
-mospërmbushja dhe mosrespektimi i kërkesave, parimeve dhe kushteve të lejes përkatëse të mjedisit të tipave A apo B nga operatori i një instalimi: për lejet e mjedisit të tipit A dënohet me gjobë në vlerën nga 1 300 000 deri në 2 600 000 lekë; për lejet e mjedisit të tipit B dënohet me gjobë në vlerën nga 390 000 deri në 650 000 lekë,duke u shtuar me vlerën 10 për qind të masës së gjobës çdo ditë deri në plotësimin e detyrimit;
-mosinformimi i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit nga operatori, në përputhje me përcaktimin e pikës 3 të nenit 16 të ligjit “Për lejet e mjedisit”, dënohet me gjobë në vlerën nga 1 300 000 (lekë deri në 2 600 000 lekë, duke u shtuar me vlerën 10 për qind të masës të gjobës çdo ditë deri në korrigjimin e mospërputhjes;
-mosrespektimi i detyrimeve të parashikuara në pikën 1 të nenit 30/1 dënohet me gjobë në vlerën nga 1 300 000 lekë deri në 2 600 000 lekë, duke u shtuar me vlerën 10 për qind të masës së gjobës çdo ditë deri në aplikimin për pajisjen me lejen e rishikuar.
Gjoba përbën titull ekzekutiv, që do të thotë është e ekzekutueshme nga shërbimi përmbarimor gjyqësor./ekofin.al
