Në vitin 2024, 17.1% e të punësuarve në BE punuan me kohë të pjesshme. Sipas Eurostat dhe OECD, ky status nënkupton zakonisht më pak se 30 orë pune në javë.
Normat ndryshojnë ndjeshëm në Evropë: ato variojnë nga 1.5% në Bullgari deri në 40.5% në Zvicër dhe 38.9% në Holandë. Austria dhe Gjermania kanë rreth 30% punësim me kohë të pjesshme, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina, Rumania, Kroacia, Sllovakia dhe Hungaria shënojnë nivele nën 5%. Ballkani dhe Evropa Lindore kanë përgjithësisht nivelet më të ulëta.
Gratë, të rinjtë dhe punonjësit më të moshuar punojnë më shpesh me kohë të pjesshme. Holanda, në vitin 2024, kishte normën më të lartë të punësimit të grave në BE, 12.7 pikë përqindjeje mbi mesataren e BE, punësimin e të rinjve 40 pikë mbi mesataren dhe punësimin e moshës 60–64 vjeç 15 pikë mbi mesataren.
Në Bullgari, punësimi i të rinjve ishte më pak se gjysma e mesatares së BE
Puna me kohë të pjesshme është më e zakonshme në sektorët e shërbimeve — tregti, shëndetësi, arsim, hoteleri — dhe në vende ku ekonomia është më pak e orientuar nga prodhimi. Në vende si Suedia, Holanda dhe Luksemburgu, shërbimet përbënin mbi 80% të punësimit total sipas ILO 2023, ndërsa në Bullgari, Rumani, Poloni, Sllovaki dhe Hungari këto norma janë dukshëm më të ulëta.
Pagat e larta ndihmojnë që puna me kohë të pjesshme të jetë e përballueshme financiarisht, ndryshe nga vendet me paga të ulëta ku kërkesa dhe oferta janë më të reduktuara.
Hendeku gjinor është i madh: 27.8% e grave punojnë me kohë të pjesshme kundrejt 7.7% të burrave. Në Zvicër, Holandë dhe Austri, mbi 50% e grave punojnë me kohë të pjesshme, ndërsa Rumania është i vetmi vend ku norma është pak më e lartë tek burrat; në Bullgari nuk ka hendek.
Në Holandë, modeli historik i punësimit me kohë të pjesshme lidhet me mungesat e fuqisë punëtore në vitet 1960 dhe shfuqizimin e ligjit të vitit 1957 që detyronte gratë të largoheshin nga puna pas martesës. Në vitet 1980, reduktimi kolektiv i orarit në këmbim të moderimit të pagave e përforcoi më tej përhapjen e punësimit me kohë të pjesshme.
Faktorë të tjerë ndikues sipas studiuesve përfshijnë normat kulturore, ngrirjen e pagave, mungesën e infrastrukturës për mbështetjen e nënave, si dhe rritjen e fleksibilizimit të rregulloreve të punës, veçanërisht në Gjermani./Përshtati nga Euronews, ekofin.al


