Nga Kastriot Sulka
Tiparet kryesore të tregut të punës sot karakterizohen nga vende pune të paplotësuara, por jo si rezultat i zhvillimit ekonomik, pra i rritjes ekonomike, por si rezultat i largimit të fuqisë punëtore. Pra, punët e zakonshme nuk ushtrohen më.
Nga ana tjetër, kemi punonjës të huaj, të cilët kryesisht janë duke punuar në vende pune që nuk kërkojnë kualifikime të mesme apo të larta, sidomos në sektorin HORECA. Më e dukshme është tashmë kjo dukuri në sektorin e shpërndarjes (delivery).
Të dyja këto zhvillime i bashkon paga. Për një pagë më të mirë kanë ardhur edhe të huajt për të punuar në Shqipëri; kryesisht kjo është tendenca, por ka edhe studentë, të cilët punojnë në Shqipëri. Në një tendencë të tillë është e kuptueshme që kjo gjë nuk do të vijojë për një kohë të gjatë, pasi nuk është e vështirë për këtë kategori që, duke bërë edhe disa kilometra më tutje, të gjejnë punë me paga shumë më të larta. Kjo gjë ka ndodhur shpesh dhe, për ta parandaluar këtë problem, po përdoren shumë artificë, si ligjore, duke përfshirë edhe penalitete në kontrata me kompanitë që sigurojnë punonjësit, por edhe joligjore, duke ua mbajtur pasaportat të huajve për të mos u larguar. Duke pasur në konsideratë edhe përvojën apo historinë tonë, kur ishim të izoluar me tela me gjemba dhe përsëri arritën të arratiseshin, nuk mund të konsiderohet një zhvillim i qëndrueshëm për tregun e punës kjo lloj rruge.
Po ashtu, për një pagë më të mirë largohen edhe punonjësit shqiptarë drejt Gjermanisë, Anglisë apo vendeve të tjera, duke mos përjashtuar edhe arsye të tjera, siç janë mundësitë për zhvillim profesional apo siguria në forma të ndryshme.
Logjika e thjeshtë të imponon mendimin se rritja e pagave do të frenonte largimin e fuqisë punëtore, sidomos të krahut të lirë të punës, por edhe do të ulte dëshirën për t’u larguar të atyre që kanë ardhur nga jashtë për të punuar.
Për hir të së vërtetës, ka pasur një rritje të pagës minimale, por edhe të pagave në sektorin publik. Rritja e pagave në sektorin publik nuk është bërë për të frenuar largimin e punonjësve publikë jashtë shtetit (asnjëherë nuk ka qenë problem; e kundërta është e vërteta), apo për të joshur punonjës me aftësi më të larta nga tregu i punës drejt administratës publike.
Rritja e pagave në sektorin publik synonte që të shtynte edhe sektorin privat të bënte të njëjtën gjë, por, si në shumë sektorë të tjerë, kjo nismë nuk e ka realizuar objektivin.
Pra, rritja e pagave në sektorin privat nuk e ka shoqëruar rritjen në sektorin publik, me përjashtim të aplikimit të pagës minimale, të cilën e detyron ligji. Kujtoj këtu politikën e rritjes së bonusit të bebeve, me pretendimin për të rritur lindshmërinë, e cila, sipas statistikave, ka pësuar një rënie katastrofike.
Sipas studimeve serioze, kombinimi i numrit të lartë të vendeve të lira të punës me papunësinë e vazhdueshme sugjeron se nuk kemi të bëjmë thjesht me mungesën e punonjësve, por më shumë reflekton një mospërputhje strukturore ndërmjet aftësive që kërkohen në vendet e punës dhe aftësive që kanë punëkërkuesit e papunë.
Vetëm duke shtrirë programet e trajnimit dhe ritrajnimit, veçanërisht në sektorët që krijojnë shumicën e vendeve të punës, mund të ngushtohet hendeku i mësipërm, i cili kufizon si rritjen ekonomike, ashtu edhe rezultatet e punësimit.
Rritja e pagave pa rritjen e produktivitetit do të thotë të rritësh koston për biznesin dhe, për rrjedhojë, të ulësh konkurrueshmërinë e tij në treg.

