Rritja e turizmit në shumë vende po përballet me një pengesë të re: mungesën e fuqisë punëtore.
Raporti i OECD-së “Tendencat dhe Politikat e Turizmit në vitin 2026” vëren se sigurimi i stafit të kualifikuar po shndërrohet në një nga sfidat kryesore të industrisë, në një kohë kur kërkesa për udhëtime vijon të mbetet e lartë dhe shumë destinacione po përjetojnë flukse rekord turistësh.
Organizata argumenton se ruajtja e konkurrueshmërisë së sektorit kërkon investime më të mëdha në aftësi profesionale, trajnime dhe përmirësim të kushteve të punës. Sipas OECD-së, krijimi i një mjedisi më të favorshëm për bizneset turistike dhe zhvillimi i kapitalit njerëzor janë tashmë prioritete të politikave turistike në një numër të madh vendesh.
Turizmi përfaqëson mesatarisht 6.3% të punësimit në ekonomitë e OECD-së, ndërsa në disa vende të varura nga ky sektor pesha është dukshëm më e lartë.
Në Greqi, autoritetet nisën një program kombëtar rikualifikimi dhe trajnimi për sektorin turistik. Programi tërhoqi mbi 40 mijë aplikime, duke reflektuar njëkohësisht kërkesën e lartë për punë dhe mungesën e aftësive që kërkon industria.
OECD paralajmëron se pa investime në formimin profesional, digjitalizimin dhe produktivitetin e punës, sektori mund të përballet me vështirësi në përballimin e rritjes së kërkesës turistike.
Situata paraqet interes të veçantë edhe për Shqipërinë.
Prej disa sezonesh, bizneset turistike raportojnë vështirësi në gjetjen e stafit në hoteleri, gastronomi dhe shërbime, ndërsa emigracioni dhe lëvizja e fuqisë punëtore drejt vendeve të Bashkimit Evropian kanë kufizuar ofertën e punonjësve vendas.
Në këto kushte, mungesa e fuqisë punëtore po shfaqet si një nga kufizimet kryesore për zgjerimin e sektorit, pavarësisht rritjes së numrit të turistëve. /ekofin.al


