Vlera e pagesave, transfertave dhe parasë elektronike u rrit me 9.5% gjatë vitit 2025, duke arritur në 343.43 miliardë lekë. Por zgjerimi i volumit financiar u shoqërua me 3.6 milionë transaksione më pak dhe me një rënie prej 36.6% të fitimit neto të institucioneve të pagesave dhe parasë elektronike.
Sipas Raportit Vjetor të Mbikëqyrjes të Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2025 u realizuan gjithsej 23.33 milionë transaksione, nga 26.94 milionë një vit më parë. Numri i tyre ra me rreth 13.4%, ndërsa vlera e qarkulluar u shtua me afro 29.86 miliardë lekë.
Kjo ecuri tregon se gjatë vitit u kryen më pak veprime, por me vlera mesatare më të larta. Përllogaritur nga të dhënat e raportit, vlera mesatare për transaksion u rrit nga rreth 11,640 lekë në vitin 2024 në afro 14,720 lekë në vitin 2025, ose me rreth 26.4%.
Transfertat në nisje rriten me 45%
Rritjen kryesore të volumit e dhanë transaksionet në nisje, vlera e të cilave u zgjerua nga 67.11 miliardë lekë në 97.30 miliardë lekë, ose me rreth 45%. Edhe numri i këtyre transfertave u rrit me 19.2%, nga 6.22 milionë në 7.41 milionë.
Në të kundërt, transfertat në mbërritje shënuan rënie. Vlera e tyre zbriti nga 159.55 miliardë lekë në 150.86 miliardë lekë, ose me rreth 5.4%, ndërsa numri i transaksioneve u përgjysmua pothuajse, duke rënë nga 5.94 milionë në 3.18 milionë.
Te paraja elektronike, numri i transaksioneve ra nga 14.77 milionë në 12.74 milionë, me rreth 13.8%. Megjithatë, volumi i qarkulluar u rrit nga 86.91 miliardë lekë në 95.27 miliardë lekë, ose me 9.6%.
Llogaritë e parasë elektronike shtohen me 21%
Pavarësisht rënies së numrit të transaksioneve, baza e përdoruesve të parasë elektronike vazhdoi të zgjerohej. Në fund të vitit 2025 numëroheshin 326,376 llogari, nga 269,765 në fund të vitit 2024.
Brenda një viti u shtuan 56,611 llogari, ose rreth 21%. Rritja e llogarive, e kombinuar me rënien e numrit të transaksioneve, tregon se zgjerimi i regjistrimeve nuk është përkthyer në të njëjtën masë në më shumë veprime financiare.
Fitimi bie me mbi 600 milionë lekë
Ndërsa vlera e pagesave u rrit, rezultati financiar i operatorëve u përkeqësua. Fitimi neto i institucioneve të pagesave dhe parasë elektronike zbriti në 1.05 miliardë lekë, nga 1.66 miliardë lekë në vitin 2024.
Rënia ishte rreth 607 milionë lekë, ose 36.6%. Rezultati i vitit 2025 ishte gjithashtu më i ulët se fitimi prej 1.29 miliardë lekësh i regjistruar në vitin 2023.
Banka e Shqipërisë e lidh dobësimin e rezultatit me dy faktorë njëkohësisht: rënien e të ardhurave nga komisionet dhe rritjen e shpenzimeve të përgjithshme të veprimtarisë. Prandaj, rritja e shumës së qarkulluar nuk u përkthye në përmirësim të përfitueshmërisë për operatorët./ekofin.al


