Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL) ka reaguar për situatën e krijuar në vend pas përshkallëzimit të protestave gjatë ditëve të fundit, duke kërkuar respektimin e të drejtave kushtetuese të qytetarëve, hetimin e çdo rasti të dyshuar të përdorimit joproporcional të forcës nga strukturat e rendit dhe angazhim serioz politik e institucional për një zgjidhje të qëndrueshme të krizës.
Në një deklaratë publike të datës 18 tetor 2026, APL rikonfirmon mbështetjen për të drejtën e studentëve për të protestuar, ndërsa shpreh shqetësimin për zhvillimet e fundit, të cilat kanë cenuar sigurinë, veprimtarinë e profesionistëve të lirë dhe aktivitetin ekonomik.
Sipas Aleancës, avokatë, profesionistë të drejtësisë dhe psikologë, pjesë e rrjetit të saj profesional, kanë ndjekur nga afër zhvillimet, përmes materialeve publike dhe vëzhgimeve të drejtpërdrejta në terren.
APL thekson se gjatë këtyre ditëve ka pasur edhe profesionistë të lirë që janë dëmtuar drejtpërdrejt ose tërthorazi nga situata e krijuar.
Organizata vlerëson se zhvillimet ngrenë shqetësime që kërkojnë një vlerësim objektiv, si për respektimin e të drejtave të protestuesve, ashtu edhe për mënyrën se si strukturat shtetërore kanë ushtruar kompetencat e tyre për ruajtjen e rendit publik.
Një nga kërkesat kryesore të APL-së lidhet me hetimin e rasteve të dyshuara të përdorimit të paligjshëm ose joproporcional të forcës gjatë protestave.
Aleanca thekson se ruajtja e rendit dhe sigurisë publike është detyrim i institucioneve, por ushtrimi i kësaj përgjegjësie duhet të bëhet gjithmonë në përputhje me ligjin dhe me respektimin e parimeve të domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit.
“Në këtë kuadër, i bëjmë thirrje Prokurorisë të ushtrojë kompetencat e saj kushtetuese dhe ligjore me pavarësi, paanshmëri dhe profesionalizëm, për të vlerësuar dhe hetuar çdo rast të dyshuar të përdorimit të paligjshëm ose joproporcional të forcës”, thuhet në deklaratë.
Sipas APL-së, përgjegjshmëria institucionale dhe respektimi i standardeve ligjore janë thelbësore për ruajtjen e besimit të qytetarëve tek institucionet.
Përtej shqetësimeve për zhvillimet në terren, Aleanca e Profesionistëve të Lirë e vendos theksin edhe te nevoja për kapërcimin e krizës përmes dialogut dhe përgjegjësisë politike.
Organizata vlerëson se përshkallëzimi i konfliktit dhe pasojat mbi jetën e qytetarëve, sigurinë dhe ekonominë kërkojnë vendimmarrje që shkon përtej interesave të momentit.
“Asnjë pushtet nuk është i përhershëm dhe në demokraci, vullneti i qytetarëve është burimi themelor i legjitimitetit”, thekson APL.
Në deklaratë nënvizohet se, kur klima e konfliktit cenon jetën, sigurinë dhe veprimtarinë ekonomike, politika duhet të dëshmojë aftësinë për të kapërcyer ngërçin dhe për të rikthyer besimin publik.
APL nuk përjashton as nevojën për një zgjidhje politike, nëse rrethanat e kërkojnë, duke insistuar që çdo rrugëdalje të jetë konkrete, e ligjshme dhe e qëndrueshme.
Një tjetër element i deklaratës është gatishmëria e profesionistëve të lirë për të kontribuar në identifikimin e zgjidhjeve institucionale.
APL shprehet se anëtarët e saj janë të gatshëm të vënë në dispozicion kapacitetet, ekspertizën dhe përvojën profesionale për të ndihmuar në kapërcimin e situatës.
Qëndrimi i Aleancës vjen në një moment kur pasojat e protestave nuk kufizohen vetëm te përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit, por kanë prekur edhe veprimtarinë e bizneseve, profesionistëve të lirë dhe funksionimin normal të një sërë shërbimesh. /ekofin.al
