Burokracia dhe paqartësia e rregullave fiskale po rezultojnë ndër pengesat më të mëdha për profesionistët e lirë në Shqipëri, ndërsa më shumë se gjysma e tyre kërkojnë si reformë prioritare krijimin e një regjimi të posaçëm dhe të thjeshtuar tatimor.
Këto janë disa nga gjetjet kryesore të anketës së vitit 2026 të Aleancës së Profesionistëve të Lirë (APL), realizuar me mbështetjen e CIPE. Në analizë janë përfshirë përgjigjet e 80 profesionistëve të lirë, nga 83 përgjigje të marra gjithsej.
Profili i të anketuarve tregon se bëhet fjalë kryesisht për profesionistë me eksperiencë dhe të formalizuar. Rreth 61% sigurojnë më shumë se tre të katërtat e të ardhurave të tyre nga puna freelance, 71% e ushtrojnë këtë aktivitet prej të paktën katër vitesh dhe 36% prej më shumë se një dekade. Ndërkohë, 80% janë të regjistruar si të vetëpunësuar me NIPT. Gjysma punojnë në konsulencë dhe shërbime biznesi, ndërsa pjesa tjetër kryesisht në IT dhe software, përkthim, arsim dhe marketing.
Burokracia, problemi numër një
Ngarkesa administrative merr vlerësimin më të lartë ndër problemet e evidentuara nga profesionistët e lirë, me 2.14 pikë në një shkallë nga 0 në 4. Kur të anketuarve iu kërkua të identifikonin vetëm pengesën më të madhe, 29 nga 80 persona, ose 36%, zgjodhën burokracinë, më shumë se dyfishi i çdo alternative tjetër.
Sipas anketës, vështirësia për të respektuar dhe ndjekur rregullat perceptohet si një barrë edhe më e rëndë sesa vetë niveli i tatimeve që duhet të paguhen.
Për këtë arsye, kërkesa kryesore e profesionistëve të lirë është një sistem fiskal më i thjeshtë. Plot 45 nga 80 të anketuar, ose 56%, vendosin në vend të parë krijimin e një regjimi të thjeshtuar tatimor për freelancerët. Sipas APL, rezultati është veçanërisht i fortë, pasi vlerësimi i ponderuar për këtë reformë është më shumë se dyfishi i alternativës së dytë.
Rregullat ndryshojnë shpesh dhe mungojnë udhëzimet praktike
Një tjetër shqetësim i fortë është mungesa e stabilitetit dhe qartësisë së kuadrit rregullator. Në 71 përgjigje me shkrim për aspektin më problematik të punës freelance në Shqipëri përsëriten disa shqetësime: ndryshimet e shpeshta të rregullave tatimore, mungesa e udhëzimeve të qarta për zbatimin e tyre dhe përgjigjet e institucioneve publike që, sipas të anketuarve, shpesh kufizohen në citimin e ligjit pa zgjidhur problemin praktik.
Një prej dispozitave të përmendura vazhdimisht është rregulli i varësisë nga klienti, sipas të cilit një profesionist i lirë që siguron pjesën dërrmuese të të ardhurave nga një numër i kufizuar klientësh mund të riklasifikohet si i punësuar. Profesionistët e anketuar e shohin këtë si një situatë ku mund të përballen me kostot tatimore të punësimit, pa përfituar njëkohësisht të drejtat që lidhen me statusin e punëmarrësit.
56% kanë pësuar të paktën një humbje financiare
Problemet nuk mbeten vetëm në nivelin e perceptimit. Më shumë se gjysma e të anketuarve kanë raportuar pasoja konkrete financiare gjatë 12 muajve të fundit.
Nga 80 profesionistët e përfshirë, 45 ose 56% kanë përjetuar të paktën një problem financiar. Plot 25 persona, ose 31%, kanë humbur të ardhura për shkak të pagesave të vonuara ose mospagesave nga klientët. 14 profesionistë, ose 18%, u është refuzuar një kredi për shkak të statusit të tyre profesional, ndërsa 11 persona, ose 14%, kanë pasur një penalitet apo mosmarrëveshje tatimore.
Një tjetër grup prej 10 profesionistësh, ose 13%, deklarojnë se kanë refuzuar punë pasi nuk mund ta faturonin atë formalisht, ndërsa 6 persona, ose 8%, kanë hasur vështirësi në marrjen e pagesave nga klientë të huaj.
Pensionet dhe sigurimi shëndetësor, tjetër boshllëk
Mbrojtja sociale del gjithashtu si një nga dobësitë e sistemit. Aksesi në pension merr një nivel problematike prej 1.81 pikësh nga 4, ndërsa sigurimi shëndetësor 1.74 pikë.
Rreth 34% e profesionistëve të anketuar e konsiderojnë çështjen e pensioneve serioze ose kritike, ndërsa për sigurimin shëndetësor kjo përqindje arrin në 36%. APL vëren se kjo problematikë merr relativisht pak vëmendje publike krahasuar me shpeshtësinë me të cilën evidentohet nga profesionistët.
Vetëm 9% kanë përfituar nga skemat e mbështetjes
Një tjetër gjetje është shkalla e ulët e njohjes dhe përdorimit të programeve mbështetëse. Rreth 52% e të anketuarve nuk janë në dijeni të ekzistencës së ndonjë granti apo skeme mbështetëse për freelancerët, ndërsa vetëm 9% deklarojnë se kanë përdorur ndonjëherë një të tillë.
Kur hasin probleme, profesionistët u drejtohen kryesisht miqve dhe kolegëve dhe më pas kontabilistëve. Vetëm 11 persona përmendin një shoqatë profesionale si burim ndihme, ndërsa 18 të anketuar, ose 23%, thonë se nuk i drejtohen askujt.
Në këtë kontekst, kërkesa për përfaqësim më të fortë institucional është e dukshme. Advokimi pranë qeverisë merr vlerësimin më të lartë për rolin që duhet të luajë një shoqatë e freelancerëve, me 3.18 pikë nga 4. Rreth 75% e konsiderojnë këtë funksion thelbësor ose shumë të rëndësishëm. Më pas renditen krijimi i një komuniteti profesional dhe përfaqësimi publik në media.
Çfarë kërkojnë të ndryshojë
Propozimet e profesionistëve të lirë përqendrohen kryesisht te sistemi tatimor dhe statusi i tyre ligjor. Mes kërkesave më të shpeshta është krijimi i një regjimi me normë fikse mbi të ardhurat neto, raportim të thjeshtë online dhe pa deklarime mujore.
Profesionistët kërkojnë gjithashtu reformimin ose heqjen e rregullit të riklasifikimit sipas varësisë nga klientët, përcaktimin e një statusi ligjor të posaçëm bazuar në natyrën e punës dhe jo vetëm në formën e regjistrimit të biznesit, si dhe mbrojtje ligjore kundër pagesave të vonuara.
Në listën e propozimeve përfshihet edhe njohja si të zbritshme e shpenzimeve profesionale në përputhje me praktikat europiane dhe rishikimi i pragut të tatimit mbi fitimin midis 8 dhe 12 milionë lekëve.
APL nënvizon se anketa nuk duhet lexuar si një panoramë statistikisht përfaqësuese e të gjithë profesionistëve në Shqipëri. Të anketuarit janë kryesisht profesionistë të konsoliduar, me një përqendrim të rëndësishëm në Tiranë dhe në sektorët e konsulencës dhe shërbimeve të biznesit. /ekofin.al
