Rishikimi i “Planit Kombëtar për Energjinë dhe Klimën” (PKEK) 2020-2030, i hedhur për konsultim publik, cilëson se Shqipëria po përafron politikat e saj klimatike me rregulloret dhe standardet e BE-së, me qëllimin për t’u përfshirë në projekte të financuara nga BE-ja që mbështesin kalimin në një ekonomi të gjelbër.
Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike (ALPEX) nisi operacionet më 12.4.2023. Gjatë vitit 2023, numri i anëtarëve të regjistruar ishte 17 (shtatëmbëdhjetë). Vëllimi total i tregtuar në bursë për vitin 2023 rezulton të jetë 827 541 MWh dhe çmimi mesatar i arritur nga ALPEX sh.a. rezulton të jetë 106,5 euro/MWh.
Aktualisht, energjia elektrike në Shqipëri prodhohet 100% nga burime të rinovueshme (99% nga hidrocentralet dhe 1% nga impiantet fotovoltaike), ku pjesa kryesore e prodhimit vendas gjenerohet nga hidrocentralet në pronësi shtetërore, pasuar nga ato të ndërtuara mbi bazën e marrëveshjeve koncesionare apo kontratave për përdorimin dhe administrimin e impianteve të prodhimit të energjisë elektrike.
Prodhimi i energjisë elektrike për vitin 2023 nga shoqëria KESH përfaqëson 58,3% të prodhimit total të energjisë elektrike, ndërsa prodhimi i energjisë elektrike nga prodhuesit e tjerë përfaqëson 41,7 %. Sistemi i energjisë elektrike në Shqipëri e bazon prodhimin e energjisë elektrike te burimet ujore, ku gjatë periudhave të reshjeve arrin të eksportojë energji elektrike dhe gjatë periudhave të thata të vitit importon energji elektrike për të mbuluar kërkesën në vend.
Viti 2023 konsiderohet një vit i mirë hidrologjik nga pikëpamja e prodhimit të energjisë elektrike, i cili për këtë vit rezultoi me një sasi prej 2,026 GWh më shumë se prodhimi mesatar në periudhën 2009 – 2023. Në total, kapaciteti i instaluar i centraleve të pavarura dhe ato me përparësi është 1,255 MW, ku kapaciteti i instaluar i prodhuesve të pavarur është 452 MW, ndërsa 770 MW u përkasin centraleve të prodhimit me përparësi.
Konsumi total i energjisë elektrike për vitin 2023 rezulton në vlerën 7,875,861 MWh, e cila është pothuajse e njëjtë me vlerën e konsumit të vitit 2022. Në të njëjtën kohë, konsumi i përgjithshëm i energjisë elektrike i realizuar për vitin 2023 është rreth 9,2% më i lartë se konsumi mesatar vjetor për periudhën 2004 – 2023.
Në përputhje me pikësynimet PKEK për efiçencën e energjisë, përdorimin e burimeve të rinovueshme të energjisë dhe dekarbonizimin deri në vitin 2030, është arritur të reduktohen shkarkimet e gazeve me efekt serrë -18,7%; efiçenca e energjisë (ulja e konsumit financiar të energjisë) -8,4%; kontributi i energjisë së rinovueshme në kërkesën finale për energji 54,4%.
Qeveria synon hapjen e tregut të energjisë elektrike 100% në vitin 2025, si dhe shtimin e normës së arkëtimit të faturave të energjisë elektrike prej 92% në 2020, 95% në 2025 dhe 98% në 2030 krahasuar me 90% në 2018. Gjithashtu, synohet integrimi i tregut shqiptar të energjisë elektrike dhe gazit natyror me Kosovën, rajonin dhe tregjet evropiane. Bashkimi i tregut të energjisë elektrike në përputhje me angazhimet e marra në kuadër të Procesit të Berlinit.
Pikësynimi kombëtar brenda vitit 2030 është 59.4% energji nga burimet e rinovueshme në konsumin e përgjithshëm final të energjisë, ndërsa përqindja maksimale e konsumit final të saj 2.34 Mtoe. Ndërkohë shkarkimet neto krahasuar me nivelet e vitit 1990 synohet të ulen me 10.21 MtCo2e në vitin 2030.
Ndër projektet e Strategjisë është gjithashtu ndërtimin e linjës së re të interkonjeksionit 400 kV Fier – Elbasan – Manastir (Maqedonia e Veriut) prej 151 km, nga të cilat 56 në territorin e Shqipërisë. /ekofin.al