Personat fizikë do të mund të hyjnë në veprimtarinë minerare dhe të jenë zotërues të lejeve minerare, ndërsa kompanitë e sektorit do të kenë mundësi të përdorin edhe garanci të lëshuara nga banka të huaja. Paralelisht, parashikohen rregulla më të forta për pezullimin e aktivitetit dhe rehabilitimin e zonave të shfrytëzuara.
Këto janë disa nga ndryshimet kryesore të propozuara në projektligjin që ndërhyn në ligjin nr. 10304/2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me zgjerimin e rrethit të operatorëve që mund të ushtrojnë aktivitet minerar. Ligji aktual i kufizon të drejtat minerare te personat juridikë, ndërsa projektligji shton në disa dispozita formulimin “ose fizik”. Sipas relacionit, kriteret teknike, financiare dhe mjedisore mund të përmbushen edhe nga personat fizikë dhe forma juridike nuk konsiderohet e nevojshme si kufizim për hyrjen në këtë aktivitet.
Ndryshimi shtrihet edhe te të drejtat minerare për zonat konkurruese dhe koncesionet, si dhe në dispozitat që lidhen me transferimin e lejeve minerare.
Hapen garancitë bankare edhe për bankat e huaja
Një tjetër ndryshim prek garancitë financiare. Formulimi aktual që i lidh ato me bankat “e nivelit të dytë në Shqipëri” propozohet të zëvendësohet me termin “vendase ose të huaj”.
Sipas relacionit shpjegues, kjo do t’u krijojë operatorëve mundësinë të përdorin edhe institucione bankare të huaja, përfshirë ato të vendosura në vendet e Bashkimit Evropian dhe Zonës Ekonomike Evropiane, duke zgjeruar alternativat për vendosjen e garancive financiare.
Raportimi nga çdo tre muaj bëhet çdo gjashtë muaj
Projektligji parashikon gjithashtu lehtësim të barrës administrative për lejet e kërkim-zbulimit. Afati i raportimit propozohet të kalojë nga çdo 3 muaj në çdo 6 muaj kalendarikë.
Relacioni argumenton se kjo do ta harmonizojë raportimin për kërkim-zbulimin me regjimin gjashtëmujor që zbatohet për lejet e shfrytëzimit.
Pezullimi i aktivitetit do të kërkojë miratimin e ministrit
Rregullat bëhen më të qarta dhe më kufizuese për operatorët që kërkojnë të pezullojnë përkohësisht shfrytëzimin.
Në vend të një njoftimi të thjeshtë, subjekti duhet të paraqesë kërkesë për miratim nga ministri jo më vonë se 45 ditë kalendarike përpara datës së parashikuar të pezullimit. Kërkesa duhet të shpjegojë në mënyrë të hollësishme arsyet dhe pezullimi mund të miratohet për një periudhë jo më të gjatë se dy vjet.
Sipas relacionit, ndryshimi synon të shmangë situatat kur zona minerare mund të mbahen për periudha të gjata pa aktivitet, duke ruajtur njëkohësisht fleksibilitetin e nevojshëm për operatorët.
Rregulla të reja për minierat sipërfaqësore për qëllime publike
Projektligji plotëson gjithashtu bazën ligjore për dhënien e lejeve të shfrytëzimit të minierave sipërfaqësore për qëllime publike vendore ose kombëtare.
Kushtet për dhënien e këtyre lejeve do të propozohen nga ministri përgjegjës për veprimtarinë minerare dhe do të miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Maksimumi 12 muaj për rehabilitimin e zonës minerare
Një nga ndërhyrjet me ndikim të drejtpërdrejtë mjedisor lidhet me rehabilitimin e zonave pas përfundimit të shfrytëzimit. Projektligji vendos për herë të parë një afat maksimal prej 12 muajsh për përfundimin e rehabilitimit të sipërfaqes së shfrytëzuar.
Afati nis nga përfundimi i vlefshmërisë së lejes minerare ose nga data e vendimit për revokimin e saj.
Nëse zotëruesi e braktis zonën minerare për 12 muaj ose nuk e përfundon rehabilitimin brenda afatit, e gjithë vlera e garancisë së rehabilitimit kalon në favor të shtetit. Fondet do të përdoren për rehabilitimin e zonës nga subjekte të specializuara, të përzgjedhura sipas procedurave të prokurimit.
Relacioni e konsideron këtë një mekanizëm për zbatimin më efektiv të parimit “ndotësi paguan”, pasi ligji aktual nuk përcakton një afat për përfundimin e rehabilitimit dhe nuk i jep shtetit një instrument të mjaftueshëm për përdorimin e garancisë në rast braktisjeje.
Projektligji shfuqizon gjithashtu një nga rastet aktuale të revokimit të lejes minerare, pasi në relacion vlerësohet se revokimi për një shkelje formale të detyrimit të njoftimit është një sanksion disproporcional. /ekofin.al
