Përfundojnë punimet në Nyjen e Fllakës pranë autostradës Tiranë-Durrës. Me ndërtimin e katër rampave që lidhin mbikalimin me zonën përreth, do ketë lehtësi qarkullimi për banorët dhe bizneset.
Kryeministri Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga përfundimi i këtyre punimeve.
Bizneset që operojnë në afërsi të Nyjes së Fllakës, përgjatë autostradës Tiranë-Durrës, do të kenë akses në të dy anët e kësaj rruge, pa rrezikuar të shkaktojnë aksidente. Në të gjithë gjatësinë e rampave hyrëse dhe dalëse janë vendosur guardrail, ndërsa janë realizuar dhe dy rrethrrotullime që lidhin rrugën ekzistuese me rampat e reja.
Në kuadër të rritjes së sigurisë rrugore për hyrje-dalje në autostradën Tiranë–Durrës, ARRSH ka mbyllur disa kalime të jashtëligjshme dhe pika të zeza për aksidente, siç ishte edhe mbikalimi i Fllakës.
