Super të pasurit e botës kanë fshehur rreth 2.84 trilionë dollarë (2.47 trilionë euro) në llogari offshore të pataksuara, një shumë që tejkalon pasurinë e kombinuar të pjesës prej 50% më të varfër të popullsisë globale, sipas një raporti të ri.
Sipas një analize të Oxfam, pasuria e fshehur në parajsat fiskale nga 0.1% më i pasur tejkalon asetet kolektive të 4.1 miliardë njerëzve më të varfër në botë.
Raporti thekson se një dekadë pas rrjedhjes së “Panama Papers”, elitat globale vazhdojnë të përdorin një sistem financiar ndërkombëtar kompleks për të zhvendosur pasuri të mëdha përtej kontrollit publik dhe taksimit.
Duke folur për Euronews, Christian Hallum nga Oxfam tha se super të pasurit po grumbullojnë ende “oqeane pasurie” dhe paralajmëroi se kjo nuk është thjesht çështje kontabiliteti, por një problem “pushteti dhe pandëshkueshmërie”.
Sipas organizatës, rreth 3.55 trilionë dollarë (3.08 trilionë euro) pasuri private mbeten të pataksuara dhe të padeklaruara në llogari offshore.
Kjo shumë është pothuajse sa e gjithë ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar dhe më shumë se dyfishi i PBB-së së kombinuar të 44 vendeve më pak të zhvilluara në botë.
Përqendrimi i kësaj pasurie është i theksuar: 0.1% më i pasur zotëron rreth 80% të fondeve offshore të pataksuara, që përfaqësojnë rreth 2.84 trilionë dollarë (2.47 trilionë euro).
Brenda këtij grupi, vetëm 0.01% më i pasur kontrollon rreth 1.77 trilionë dollarë (1.53 trilionë euro).
Hallum shpjegon se modeli i parajsave fiskale mbetet i fortë, pasi individët shumë të pasur kanë mundësi të punësojnë ekspertë financiarë për të gjetur mënyra gjithnjë e më të sofistikuara për të shmangur taksat.
Në vitin 2023, pasuria totale financiare offshore arriti në rreth 13.25 trilionë dollarë (11.51 trilionë euro), ose 12.48% e PBB-së globale, ndërsa pjesa e pataksuar vlerësohet të jetë stabilizuar rreth 3.2%.
Oxfam u bën thirrje qeverive, përfshirë ato të G7, të vendosin taksa të përhershme dhe progresive mbi pasurinë e super të pasurve për të rikuperuar këto të ardhura të humbura.
Organizata argumenton se këto fonde janë thelbësore për luftën kundër varfërisë, tranzicionin drejt ekonomisë së gjelbër dhe përforcimin e infrastrukturës publike.
Megjithatë, mbetet dilema nëse një taksë mbi pasurinë mund të zgjidhë problemin, duke qenë se të pasurit përdorin pikërisht strukturat offshore për t’iu shmangur taksave.
Sipas Hallum, taksa mbi pasurinë nuk e zgjidh plotësisht problemin, por ai thekson se humbjet nga parajsat fiskale janë të lidhura ngushtë me pabarazinë ekstreme.
“Për ta ndalur këtë model, duhet rritur transparenca financiare dhe adresuar pabarazia që nxit kërkesën për këto shërbime”, tha ai.
Pa reforma strukturore dhe bashkëpunim global më gjithëpërfshirës, sistemi offshore rrezikon të vazhdojë të funksionojë në favor të më të pasurve në dëm të shumicës së popullsisë.
Shtytja për një kornizë globale tatimore
Një nga pengesat kryesore në luftën kundër evazionit fiskal është zbatimi i pabarabartë i sistemit të shkëmbimit automatik të informacionit.
Edhe pse 126 juridiksione kanë adoptuar standardin ndërkombëtar të raportimit, shumë vende në zhvillim mbeten jashtë.
Hallum thekson se kërkesa për reciprocitet është një barrierë e madhe, pasi vendet duhet të ndërtojnë sisteme komplekse për të përfituar informacion mbi pasuritë offshore të qytetarëve të tyre.
Ai përmendi rastin e Ganës, e cila pas nënshkrimit në 2014 filloi të marrë të dhëna vetëm në 2022, pasi investoi rreth 1 milion dollarë për ndërtimin e kapaciteteve.
Ky barrë teknike dhe financiare shpesh pengon vendet më të varfra të rikuperojnë të ardhurat e humbura nga taksat.
Kjo situatë ka shtyrë përpara nismat për një sistem global më gjithëpërfshirës. Në nëntor 2024, shtetet anëtare të OKB-së miratuan bazën për një konventë ndërkombëtare mbi bashkëpunimin tatimor, ndërsa negociatat pritet të vijojnë deri në vitin 2027.
Përveç taksës mbi pasurinë, Oxfam propozon krijimin e një regjistri global të aseteve dhe hapjen e regjistrave publikë për të identifikuar pronarët realë të pasurive të fshehura.
Shifrat për Evropën
Ndërkohë, të dhënat për Evropën tregojnë se pasuria offshore mbetet e lartë. Greqia ka nivelin më të lartë në raport me ekonominë, me rreth 80% të PBB-së.
Po ashtu, Greqia humbet rreth 47% të të ardhurave nga taksa mbi fitimin e korporatave, niveli më i lartë në Evropë, e ndjekur nga Gjermania me 29% dhe Estonia me 24%.
Franca dhe Mbretëria e Bashkuar humbasin secila rreth 16%.
Pjesa më e madhe e këtyre pasurive greke mbahet në Zvicër, e cila mbetet një nga destinacionet kryesore për pasurinë offshore, së bashku me Luksemburgun, Qipron dhe Ishujt Channel./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
