Komisioni Evropian ka njoftuar se ka miratuar planin e veprimit të Temu-t për të trajtuar disa shkelje të Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA) të Bashkimit Evropian.
Temu është zotuar të kryejë një analizë të rreziqeve, të monitorojë nga afër masat për parandalimin e shitjes së produkteve të paligjshme në platformën e saj dhe t’i intensifikojë përpjekjet nëse do të jetë e nevojshme.
Kompania kineze do të shqyrtojë gjithashtu mënyrën se si sistemet e saj të rekomandimit të produkteve “mund të përforcojnë përhapjen e mallrave të paligjshme”, tha Komisioni Evropian.
Në maj të këtij viti, Temu u gjobit me 200 milionë euro nga Bashkimi Evropian, pasi lejoi shitjen në platformën e saj të produkteve të paligjshme, si lodra të rrezikshme për foshnjat dhe karikues me defekte.
Gjoba u vendos pas një hetimi zyrtar të nisur në tetor 2024, për të verifikuar nëse Temu po përmbushte detyrimet e saj si një Platformë Shumë e Madhe Online e përcaktuar sipas Aktit të Shërbimeve Digjitale të Bashkimit Evropian.
Hetuesit e Komisionit Evropian konstatuan se platforma nuk kishte identifikuar dhe trajtuar siç duhej rreziqet që paraqisnin produktet e paligjshme dhe të pasigurta të shitura për konsumatorët evropianë.
Të hënën, Temu mirëpriti miratimin e planit të saj të veprimit nga rregullatorët evropianë.
“E vlerësojmë angazhimin konstruktiv të Komisionit Evropian me ne gjatë gjithë këtij procesi”, deklaroi kompania në një njoftim zyrtar.
Plani “dëshmon qartë angazhimin e Temu-t për të investuar në një infrastrukturë të fuqishme për garantimin e pajtueshmërisë me rregullat, me qëllim sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe të besueshëm blerjesh për të gjithë përdoruesit në Bashkimin Evropian”, shtoi kompania.
Gjiganti kinez i tregtisë me pakicë ka 130 milionë përdorues në 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, pothuajse një të tretën e popullsisë së bllokut, duke e bërë atë një nga shitësit më të mëdhenj online në Evropë.
Temu është një nga disa platformat e tregtisë elektronike që po përballen me tarifat e reja prej 3 eurosh të Bashkimit Evropian për pakot me vlerë të ulët, të cilat kanë hyrë në fuqi që nga korriku. Më parë, pakot me vlerë më të vogël se 150 euro lejoheshin të hynin në bllok pa paguar detyrime doganore.
Rregullat e reja për paketat kanë sjellë rënie të importeve, veçanërisht atyre nga Kina, me 30% deri në 40% që nga hyrja e tyre në fuqi./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
