Shqipëria po bëhet gati për të kryer një “fotografi” të detajuar të realitetit të saj rural. Projektligji i ri për Censin e Bujqësisë ka kaluar për diskutim në Komisionin Parlamentar të Bujqësisë, ku u vu theksi te nevoja për të dhëna të krahasueshme me standardet ndërkombëtare. Zëvendësministri i Bujqësisë, Fatmir Guri, u shpreh se ky proces nuk do të jetë thjesht një mbledhje statistikash formale, por do të shërbejë si shtrat për të gjitha reformat dhe investimet e ardhshme në fshat.
“Kjo fotografi nuk bëhet vetëm për statistika formale, ajo është pjesa bazë mbi të cilat do të bazohen politikat e ardhshme, që këto të jenë më të drejta, më të sakta, më të matshme. Pa këtë bazë, diskutimi i mbështetjes së fermerëve, cilësisë kombëtare, investimit në infrastrukturën bujqësore, zhvillimeve rurale, apo për afrimin e politikës së përbashkët bujqësore të Bashkimit Evropian, mbetet për t’u përmirësuar.”
Censi i ri i bujqësisë vjen si një detyrim dhe domosdoshmëri për të përafruar Shqipërinë me legjislacionin e Bashkimit Europian.
“Krahas harmonizimit me legjislacionin evropian, është mbështetur fort edhe në programin botëror të regjistrimit të bujqësisë të hartuar nga FAO në të cilin ne jemi mbështetur për grumbullimin e të dhënave ekonomike bujqësore, përcaktimin e vitit të referencës, strukturën e të dhënave të grumbulluara që do të mblidhen nëpërmjet censit si karakteristikat e përgjithshme: toka, blegtoria, punësimi e të tjera,” tha Lantona Sado Drejtoreshë e Instat.
Nga ana e tyre, deputetët e komisionit vlerësuan rëndësinë e këtij kuadri ligjor për orientimin e fondeve publike dhe investimeve strategjike.
“Kërkohet të hartohet një bazë të dhënash, se pa patur ato nuk mund të kemi vlerësimin e mbështetjes për fermerët, për zhvillimin rural, dhe sigurinë ushqimore, për planifikimin e investimeve publike, për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Ky ligj është shumë i detajuar dhe në të janë përgatitjet… baza kryesore ku do të jetë i ngarkuar institucioni i INSTAT-it, në përputhje me parimet dhe rregullat e Eurostat-it dhe të FAO-s,” shprehet Fadil Nasufi Deputet.
Me miratimin e këtij projektligji, INSTAT do të ketë përgjegjësinë kryesore ligjore për të zbritur në terren sipas parimeve të Eurostat-it./Scantv

