Ndërsa zjarret vazhdojnë të përhapen në disa pjesë të Evropës, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar për një rritje të fortë të numrit të tyre në rajon dhe për pasojat gjithnjë e më të rënda në shëndetin e njerëzve.
Gjatë kësaj vere, zjarre kanë shpërthyer në Francë, Gjermani, Greqi, Spanjë dhe Portugali, ndërsa zjarrfikës kanë humbur jetën duke luftuar me flakët në Francë dhe Itali. Nga fillimi i vitit deri më 22 korrik, në Europë janë identifikuar 1,254 zjarre, të cilat kanë çliruar më shumë se 8.31 milionë tonë CO₂.
Ajo që ngre shqetësim është se zjarret në pyje po bëhen më të shpeshta dhe më intensive në Evropë, bëri të ditur të premten zyra europiane e OBSH-së. Portugalia dhe Spanja kanë raportuar secila një rritje me 100% të zjarreve gjatë këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Që nga viti 2022, numri i zjarreve është rritur me 57% në të gjithë Rajonin Europian të OBSH-së. Vetëm gjatë vitit të kaluar u dogjën rreth 2.2 milionë hektarë, ndërsa deri më 22 korrik të këtij viti ishin shkatërruar tashmë 254,388 hektarë, sipas Sistemit Europian të Informacionit për Zjarret në Pyje, EFFIS.
Dhe situata pritet vetëm të përkeqësohet.
“Ndërsa ndryshimet klimatike po çojnë drejt një bote gjithnjë e më të ngrohtë, duhet të përgatitemi për zjarre më të shpeshta dhe më intensive”, tha drejtori i OBSH-së për Europën, Hans Henri P. Kluge.
Zjarret jo vetëm shkatërrojnë burimet e jetesës, detyrojnë banorët të evakuohen, ndërpresin funksionimin e sistemeve shëndetësore dhe shkaktojnë humbje jetësh, por dëmtojnë shëndetin e njerëzve edhe shumë kilometra larg zonave të prekura.
“Ndikimet shëndetësore shtrihen shumë përtej flakëve”, thuhet më tej.
Tymi i zjarreve mund të përshkojë qindra kilometra, duke përkeqësuar cilësinë e ajrit shumë larg zonës së zjarrit. Ai përmban një përzierje të rrezikshme ndotësish, si grimcat e imëta PM2.5, dioksidi i azotit, ozoni, hidrokarburet aromatike dhe plumbi.
Kur zjarret përfshijnë banesa ose ndërtesa, ato mund të çlirojnë gjithashtu kimikate toksike nga pajisjet elektronike, mobiliet, materialet plastike dhe bojërat.
“Tymi mund të udhëtojë në distanca të gjata, duke përkeqësuar sëmundjet e zemrës dhe të rrugëve të frymëmarrjes, si dhe duke ndikuar në shëndetin mendor, veçanërisht te të moshuarit, fëmijët, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike”, tha Kluge.
Ai u bëri thirrje qeverive të sigurojnë në kohë “paralajmërime për zjarret, kushtet e motit dhe cilësinë e ajrit, këshilla të qarta shëndetësore, si dhe akses në kujdesin shëndetësor parësor dhe atë të urgjencës”.
“Personat që jetojnë ose udhëtojnë në zonat e prekura duhet të ndjekin udhëzimet zyrtare, të largohen nga zjarret aktive kur kjo mund të bëhet në mënyrë të sigurt, të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të mbajnë një maskë mbrojtëse që përshtatet mirë në fytyrë, në rast se duhet të dalin jashtë pranë tymit të zjarreve”, tha Kluge./Përshtati nga Euronews, ekofin.al

