Gjiganti amerikan i teknologjisë Nvidia ka nisur një hetim të pavarur pas raportimeve se drejtori i saj ekzekutiv, Jensen Huang, kishte pasur një marrëdhënie me një grua të dyshuar si spiune kineze.
Kompania, një nga më të vlefshmet në botë, deklaroi se bordi i saj drejtues nuk kishte arsye të besonte se sekretet e kompanisë apo siguria kombëtare ishin komprometuar. Ajo shtoi se drejtori ekzekutiv ishte i përkushtuar për të vijuar drejtimin e kompanisë.
Ndërkohë, Jensen Huang pranoi se kishte qenë “i pabesë” ndaj bashkëshortes së tij dhe kërkoi falje për lëndimin që u kishte shkaktuar asaj dhe fëmijëve të tyre.
Sipas një raportimi të The New York Times, zyrtarët amerikanë të inteligjencës besonin se biznesmenia kineze Alice Huang, e cila kishte një marrëdhënie të afërt me Jensen Huang, ishte spiune në shërbim të Pekinit.
Jensen Huang tha se merrte “përgjegjësi të plotë” për veprimet e tij, duke shtuar se kishte dështuar në përmbushjen e përgjegjësive ndaj punonjësve, bordit drejtues dhe aksionarëve të Nvidia-s.
Nvidia është një nga kompanitë më të mëdha në botë dhe konsiderohet si një aktor kyç në prodhimin e pajisjeve për teknologjitë e reja të inteligjencës artificiale. Jensen Huang e drejton kompaninë prej më shumë se 30 vitesh.
Ai deklaroi: “Kam qenë i pabesë ndaj bashkëshortes sime. Veprimet e mia e kanë lënduar atë dhe fëmijët tanë. Nuk ka asnjë justifikim për atë që kam bërë. Më vjen jashtëzakonisht keq.”
Në vijim të deklaratës së tij, ai tha: “Sa u përket shqetësimeve për sigurinë kombëtare të ngritura në raportimet mediatike, Bordi Drejtues i Nvidia-s ka nisur një hetim të pavarur. Unë e mbështes hetimin dhe do të bashkëpunoj plotësisht.
“E dua vendin tonë dhe kompaninë tonë. Jam i përkushtuar për të mbrojtur Nvidia-n dhe për të mbështetur sigurinë kombëtare të Amerikës. Jam krenar dhe mirënjohës që jam amerikan.”
Një deklaratë e veçantë e publikuar nga Bordi Drejtues i Nvidia-s bëri të ditur se do të niste një hetim “në dritën e raportimeve të fundit se themeluesi dhe drejtori ekzekutiv Jensen Huang ka qenë objektiv i një operacioni të inteligjencës së huaj”.
Në deklaratë thuhej: “Bordi i jep përparësi sigurisë kombëtare dhe ekonomike të Shteteve të Bashkuara, e cila është thelbësore për interesat e Nvidia-s dhe aksionarëve të saj.
“Ndërsa Bordi nuk ka arsye të besojë se siguria kombëtare apo sekretet e Nvidia-s janë komprometuar, hetimi i tij do të shqyrtojë të gjithë informacionin e disponueshëm.”
Presidenti amerikan Donald Trump tha se nuk kishte folur me drejtuesin e Nvidia-s që prej publikimit të lajmit për hetimin.
“Unë thjesht e di që ai është një njeri i mirë, por nuk i dihet kurrë se çfarë po ndodh”, u tha Trump gazetarëve, duke shtuar se Huang “ka bërë një punë të jashtëzakonshme për vendin tonë”.
The New York Times raportoi në fund të tetorit se Trump ishte informuar vitin e kaluar për të dhëna të inteligjencës që pretendonin se Alice Huang po spiunonte në emër të Kinës.
I pyetur nga gazetarët të dielën nëse tani i vinte keq që nuk kishte “vepruar mbi bazën e informacionit të inteligjencës” në atë kohë, Trump u përgjigj:
“Jo, nuk mendoj kështu. Mendoj se ai është një njeri i nderuar.”
Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, refuzoi të komentonte për Huang përpara se të nisej drejt Parisit për një takim të G7-s.
Rubio u tha gazetarëve: “Nuk mund të komentoj asgjë për këtë. Thjesht nuk mund të komentoj për shkak të natyrës së çështjes. Gjithashtu, nuk mund të komentoj për një çështje të brendshme të një kompanie që po zhvillohet në Nvidia, siç e përmendët. Nuk di asgjë për atë pjesë.”
Sipas The New York Times, pranverën e kaluar sekretari amerikan i Shtetit kishte mbikëqyrur hartimin e një memorandumi që paralajmëronte administratën Trump për marrëdhënien e Huang me biznesmenen kineze.
Kina ka hedhur poshtë më parë akuzat për një operacion spiunazhi që synonte drejtuesin e Nvidia-s, duke i cilësuar pretendimet si “spekulime të pabazuara”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Guo Jiakun, u tha gazetarëve gjatë një konference të përditshme për shtyp:
“Ne kemi reaguar tashmë ndaj kësaj çështjeje. Akuzat për spiunë kinezë janë plotësisht të pabazuara, spekulative dhe kanë për qëllim të shpifin dhe të njollosin Kinën.”
Jensen Huang e ka shpëtuar Nvidia-n nga falimentimi në më shumë se një rast dhe ka ndërmarrë rreziqe në fushën e inteligjencës artificiale shumë kohë përpara se pjesa tjetër e botës të përqendrohej tek ajo.
Vendimi i tij për t’i shndërruar çipat e Nvidia-s, të projektuar fillimisht për lojërat elektronike, në më të mirët për zhvillimin e inteligjencës artificiale, tashmë ka dhënë rezultate të jashtëzakonshme dhe kompania vlen triliona dollarë.
Ky është një goditje e madhe për një njeri që njihet si punëtor i palodhur, perfeksionist dhe dikush që kërkon standarde jashtëzakonisht të larta nga punonjësit e tij.
Alice Huang, e cila nuk ka lidhje familjare me Jensen Huang, është e lidhur me kompaninë Megaspeed, me seli në Singapor, e cila operon në sektorin e qendrave të të dhënave.
Kompania i tha The New York Times muajin e kaluar se drejtuesit e saj aktualë i merrnin seriozisht akuzat dhe kishin caktuar këshilltarë të jashtëm ligjorë për të kryer një hetim të brendshëm.
Nvidia është një aktor kyç në infrastrukturën e inteligjencës artificiale, duke furnizuar me çipa zhvilluesit kryesorë të modeleve të inteligjencës artificiale, përfshirë OpenAI dhe Meta.
Prodhuesi i mikroçipave vlerësohet rreth 4.5 trilionë dollarë, duke e bërë atë një nga kompanitë më të vlefshme që kanë ekzistuar ndonjëherë.
Sipas burimeve anonime të cituara nga The New York Times, agjencitë amerikane të inteligjencës kishin monitoruar Alice Huang dhe kishin arritur në përfundimin se ajo vepronte në emër të qeverisë kineze.
Sipas raportimeve, përgjimi i komunikimeve kishte zbuluar biseda mes Alice Huang dhe një shtetasi amerikan, i cili më pas u identifikua si Jensen Huang përmes një procesi të njohur si “çmaskim” (unmasking).
Mbetet e paqartë se çfarë informacioni Alice Huang, e njohur gjithashtu si Huang Le, dyshohet se i ka kaluar Pekinit, sa i vlefshëm ishte ai apo kur besohet se ajo ka nisur mbledhjen e të dhënave të inteligjencës.
Alice Huang nuk iu përgjigj kërkesës së gazetës për koment.
Javën e kaluar, anëtarë të Kongresit amerikan i dërguan një letër Jensen Huang, duke i kërkuar të paraqitej para tyre në dritën e raportimeve për marrëdhënien e tij.
Tre drejtues të komiteteve republikane të Dhomës së Përfaqësuesve i kërkuan drejtorit ekzekutiv të paraqitej më vonë gjatë muajit për të diskutuar “protokollet e sigurisë së Nvidia-s kundër spiunazhit nga kundërshtarët e huaj”, në lidhje me marrëdhënien e raportuar me Alice Huang.
“Raportimet e fundit ngrenë shqetësime të rëndësishme për sigurinë kombëtare lidhur me aksesin e Republikës Popullore të Kinës (PRC) në teknologjinë dhe informacionin e ndjeshëm amerikan.
Çështja e infiltrimit të Republikës Popullore të Kinës dhe aksesit të saj në teknologjitë më të avancuara amerikane është thelbësore për punën hetimore të tre komiteteve tona gjatë këtij Kongresi”, thuhej në letër.
Çipat e inteligjencës artificiale të Nvidia-s kanë qenë një nga pikat kryesore të rivalitetit mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, ndërsa Uashingtoni ka vendosur më parë kufizime mbi vendet ku mund të shiten produktet e saj më të avancuara.
H200, gjysmëpërçuesi i dytë më i avancuar i Nvidia-s, ishte kufizuar më parë nga Uashingtoni për shkak të shqetësimeve se mund t’i jepte industrisë teknologjike kineze një avantazh ndaj asaj amerikane.
Në janar, administrata Trump deklaroi se do të lejonte kompaninë të shiste çipat H200 te klientët kinezë, me disa kushte. /Përshtati nga BBC, ekofin.al
