Nga Ekofin Media
Ngjarja e fundit në një bar në zonën turistike të Skelës në Vlorë, ku një kamarier 18-vjeçar është dhunuar nga dy klientë, njëri prej të cilëve efektiv policie vetëm se u çoji në tavolinë një shishe ujë më tepër, nuk është një rast i izoluar. Vetëm disa ditë më parë, një tjetër përplasje fizike u raportua në ambjentet e plazhit në Ksamil këtë herë mes dy pronarëve të bizneseve për hapësirën e çadrave, ndërsa mediat kanë raportuar deri tani një sërë konfliktesh të ngjashme — mes klientëve dhe stafit, mes turistëve dhe pronarëve, si edhe mes vetë pronarëve.
A mund të flasim për incidente të përkohshme, sporadike, të nxitura nga stresi i komentit dhe mungesa e profesionalizmit? Apo kemi përpara një model të përsëritur dhune, mungese të rregullave dhe autoritetit, që vjen nga një kulturë më e thellë e mosndëshkueshmërisë, arrogancës dhe korrupsionit institucional?
Një sezon që promovon natyrën dhe zhbën përvojën
Turizmi është një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare. Investimet në infrastrukturë, promovimet ndërkombëtare dhe bukuritë natyrore të pakontestueshme të vendit, po tërheqin çdo vit më shumë turistë. Por ajo që ndodh pas skenës, në kontaktin e drejtpërdrejtë të tyre me shërbimet, me bizneset, me qytetarët e me institucionet, po kthehet në një kërcënim serioz për imazhin e Shqipërisë si një destinacion mikpritës dhe i sigurt.
Ngjarje si ajo në Vlorë nuk janë vetëm një përplasje fizike në një lokal. Ato janë shfaqje të një klime të përgjithshme dhune dhe mungese etike, të ushqyera nga një sistem që nuk mban askënd përgjegjës. Askush nuk pyet pse pronarët ndihen të paprekshëm, pse policia vjen me vonesë, apo pse një djalë 18-vjeç shërben pa mbrojtje, apo kushte dinjitoze pune.
A kemi një kulturë dhune dhe arrogancë?
Shqiptarët kanë një marrëdhënie të ndërlikuar me autoritetin dhe me pushtetin. Në shumë raste, pushteti lokal dhe shteti shihen si pengesë ose si palë për t’u manipuluar, jo si mbrojtës të interesit publik. Kjo sjell që rregullat të shpërfillen, licencat të merren përmes ryshfeteve, inspektimet të shmangen dhe, në fund, klienti apo punonjësi të mbetet i pambrojtur.
Rasti në Vlorë është ilustrues: përse një klient (aq më tepër edhe efektiv policie) mendon se mund të godasë një kamarier pa pasoja? Sepse shumë shpesh nuk ka pasoja reale. Institucionet nuk veprojnë, manipulohen dhe blihen lehtësisht. Drejtësia është e ngadaltë, shpesh e korruptuar dhe gjithmonë selektive. Në këtë klimë, forca zëvendëson ligjin, dhe arroganca zë vendin e shërbimit.
Institucionet mungojnë, ose shfaqen kur është vonë
Incidentet gjatë këtij sezoni kanë pasur një gjë të përbashkët: mungesën e ndërhyrjes së shpejtë dhe efektive nga autoritetet. Pavarësisht se Shqipëria ka ligje për mbrojtjen e punonjësve, për standardet në shërbim, për mbarëvajtjen e aktivitetit tregtar në zonat turistike, ato mbeten në letër. Mungojnë kontrollet sistematike, sanksionet e qarta dhe mbi të gjitha, vullneti për t’i zbatuar.
Nëse një pronar lokali e di që askush nuk do ta kontrollojë për stafin që punëson, për mënyrën si sillet me klientët, apo për ndonjë akt dhune, ai do të ndjehet i paprekshëm. Kjo ndjesi është ngjitëse, dhe përhap një kulturë të arrogancës dhe indiferencës ndaj ligjit që shkon nga lokalet deri në gjykata.
Çfarë humbasim përveç imazhit?
Këto ngjarje nuk dëmtojnë vetëm turizmin si industri, por shkatërrojnë besimin qytetar në shtet. Nëse një 18-vjeçar nuk mund të mbrohet në vendin e tij të punës, çfarë shprese kanë qytetarët e tjerë që ndihen të rrezikuar nga abuzimi apo padrejtësia?
Ndërkohë, çdo video e publikuar, çdo rrëfim në mediat ndërkombëtare, dëmton vitet e punës për të promovuar Shqipërinë. Turistët nuk vijnë vetëm për detin, por për sigurinë, për mikpritjen, për dinjitetin me të cilin trajtohen. Kur këto mungojnë, asnjë shkrim në mediat ndërkombëtare apo reklamat në televizione nuk mund ta rregullojë dëmin. Kjo pasi marketingu më i mirë për një vend është ai i treguar nga vetë turistët që e vizitojnë atë.
Duhet të ndryshojmë mënyrën sesi mendojmë dhe funksionojmë
Nuk mjafton të dënojmë dhunën në rrjete sociale. Nuk mjafton as të ndëshkojmë një individ të vetëm. Duhet të ndryshojmë mënyrën si funksionon turizmi, biznesi dhe mbi të gjitha shteti. Sepse ajo që ndodhi në lokalin në Vlorë, mund të ndodhë nesër kudo. Dhe derisa të vendosim rregulla të qarta, të zbatuara nga institucione të paanshme dhe të ndershme, Shqipëria do të mbetet një vend i bukur, por i pasigurt – për turistët dhe për vetë qytetarët e saj.
