Nga Ilir Ciko
Lajmi se Shqipëria synon të prodhojë dhe eksportojë mjete ushtarake për NATO-n ngjalli entuziazëm, por edhe plot skepticizëm. A mjafton aftësia për të modifikuar një automjet që të thuash se po prodhon një mjet ushtarak? A është kjo e arritshme në një vend të vogël e pa ndonjë histori të shquar në prodhimin e automobilëve, përjashtuar përvojës modeste me disa traktorë, e ndonjë rasti tjetër të izoluar?
Një i tillë ishte dhe ai i 3-4 viteve më parë, kur lajmet tregonin për një kompani shqiptare që kishte nisur prodhimin në Shqipëri të autoambulancave, të cilat jo vetëm përdoreshin në vend, por edhe eksportoheshin në në disa vende të botës. Ambulancat hyjnë në atë kategori produktesh që ekonomistët i quajnë credence goods – mallra besimi – cilësia e të cilëve nuk gjykohet nga pamja apo përdorimi i përditshëm, por zbulohet vetëm kur vihen në provën për të cilën janë ndërtuar.
Kureshtja dhe dashamirësia për prodhimin shqiptar në përgjithësi më shtyu atëherë të lexoja më shumë dhe nga lajmet dilte se kompania në fjalë merrte furgonë të zakonshëm, dhe i modifikonte për t’i përshtatur nga ana funksionale si ambulanca, të cilat më pas shiteshin në tregun vendas dhe jashtë.
Pak kohë më pas, në një bisedë me një mik të ngushtë e doktor të njohur, mësova se jo të gjitha ambulancat e ndërtuara mbi furgonë të modifikuar arrijnë të përmbushin standardet më të larta teknike që kërkohen në vende të ndryshme. Modifikimi i furgonëve si ambulanca është praktikë e njohur në BE dhe dallimi nuk qëndron te mjeti bazë, por te certifikimi. Rregullat e BE kërkojnë homologim shumëfazësh: konvertuesi duhet të jetë vetë prodhues i miratuar, me sistem cilësie dhe auditim të konformitetit të prodhimit.
Sigurisht një ambulancë e përshtatur vlen shumë më tepër, dhe shpëton jetë, krahasuar me mungesën e plotë të saj. Një e tillë është edhe më e sigurt se plot ambulanca të vjetëruara që mbeten rrugëve e që ndoshta janë ende diku në qarkullim në qytete e fshatra të ndryshme të vendit.
Por është po aq e sigurt se një ambulancë e certifikuar përmbush standarde që një furgon i modifikuar jashtë atij procesi, në mos i ka të pamundura, i ka krejt të vështira dhe shumë të kushtueshme për t’i arritur.
Dhe këtu çështja nuk lidhet me pajisjet mjekësore që mund të instalohen në çdo mjet, por me projektimin, ndërtimin dhe testimin e automjetit, të cilat verifikohen përmes procesit të certifikimit. Një autoambulancë ka kriter parësor sigurinë e lidhjes së shtratit të pacientit, që realizohet në konstruktin e shasisë së saj, gjë që i mungon në koncept një furgoni ku përshtatja realizohet me vida ose saldime. Struktura e një ambulance, veçmas kabinës, duhet t’i përgjigjet në të gjitha drejtimet përballjes me një përplasje të mundshme, ajo e një furgoni, jo detyrimisht. Kompanitë prodhuese të ambulancave e kanë si praktikë shkatërrimin e një prototipi gjatë certifikimit, pikërisht për të demonstruar kapacitetin mbrojtës në rast aksidenti, furgonët jo detyrimisht.
Autoambulancat kanë zakonisht sisteme amortizimi me ajër për të ruajtur pacientin gjatë transportit nga shkundjet, furgonët jo. Autoambulancat kanë sisteme të sigurta për mbajtjen e bombolave të oksigjenit, furgonët jo. Autoambulancat kanë hapësirën e duhur (gjerësi e lartësi) për të paktën dy mjekë ndaj shtratit të pacientit, kanë sistem ajrimi të ndarë nga kabina e shoferit, parametra sigurie ndaj zjarrit e plot të tjera, që furgonët nuk i kanë. Një ambulancë nuk është thjesht një furgon i përshtatur me shtrat e pajisje brenda dhe sirena alarmi jashtë. Detajet e certifikuara, bëjnë ndryshimin.
Edhe njëherë – mbetet e debatueshme nëse disa, apo të gjitha këto kritere apo të tjera na duhet t’i kërkojmë, apo duhet t’i kërkojë Ministria e Shëndetësisë në tenderat që organizon për blerje ambulancash, apo duhet që kompanitë prodhuese, vendase ose të huaja, t’i vendosin në standardet e produkteve që prodhojnë, që ato të mos shiten vetëm në Libi apo Ukrainë, por dhe në familjen europiane drejt së cilës po shkojmë.
Mund të mendojmë që më mirë 10 ambulanca që funksionojnë se p.sh. 5 apo 6 të tilla që plotësojnë standardet e BE-së. Por këtu arrijmë tek hyrja e këtij debati, nëse disa standarde teknike janë ndoshta të diskutueshme për t’u pranuar, kur vjen fjala për mjetet ushtarake, çështja, sigurisht, kalon në një tjetër nivel.
Nëse në një ambulancë ndryshimin e bëjnë disa standarde që ndoshta nuk duken me sy, në një mjet ushtarak kjo diferencë është më e madhe. Çështja nuk është nëse Shqipëria mundet ose jo të montojë mjete ushtarake, por nëse mund të projektojë, testojë dhe certifikojë automjete që plotësojnë standardet për të cilat ato janë ndërtuar. Pikërisht aty, ndahet montimi, nga prodhimi.
