Në kulmin e emergjencës së zjarreve, me të cilët po përballet prej disa ditësh e gjithë prefektura Korçë, duke angazhuar një sërë forcash zjarrfikëse, si edhe duke kërkuar në disa raste edhe ndihmën e emergjencave civile dhe të forcave të ushtrisë, Bashkia Korçë, si “puna e milingonës” ka nisur të mendojë që tani për dimrin. Dhe e ka bërë këtë duke hapur sot një tender me objekt “Shpenzime për blerje kripe për Emergjencat dimërore”.
Sigurisht që edhe blerja e kripës është e domosdoshme për të mbajtur rrugët hapur, sepse Korça përballet me reshje të dëndura bore vit pas viti që sjellin vështirësi dhe në disa raste edhe bllokime rrugësh. Por hapja e një tenderi për kripë në kulmin e zjarreve duket si ironike.
Bashkia kërkon në total 214 ton kripë, e cila duhet të jetë prodhim vendi, kokërr madhe dhe me ngjyrë të zezë. Po ashtu, kërkohet që kripa të jetë e thatë dhe të vijë e hapur. Gjithashtu ajo duhet të jetë e ndarë në 2500 thasë të vegjël me nga 50 kg secili dhe 70 thasë të mëdhenj që mbajnë nga 1 ton secili.
Vlera e fondit limit të tenderit është 2 193 500 lekë, pa TVSH, ose rreth 22 mijë euro. Referuar kësaj vlere dhe kërkesës prej 214 ton kripë të zezë, rezulton që një ton kripë të kushtojë rreth 102 euro. /ekofin.al

