Në një kohë kur inteligjenca artificiale, teknologjia e sensorëve dhe analizat në kohë reale po revolucionarizojnë monitorimin e trafikut në Evropë, Shqipëria mbetet peng i sistemeve të vjetëruara për menaxhimin e të dhënave mbi aksidentet rrugore.
Boshllëqet në sistemin aktual zbulojnë se Policia Rrugore nuk ka kapacitetet teknike dhe infrastrukturore për të analizuar dhe shpërndarë në kohë reale të dhënat mbi sigurinë rrugore – një pengesë serioze për politika të bazuara në evidenca dhe për ndërhyrje efektive në uljen e aksidenteve, theksohet ndër të tjera në strategjinë për sigurinë rrugore që është publikuar për konsultim publik.
Databaza e aksidenteve, e vjetëruar dhe e fragmentuar
Softueri dhe aplikacioni i përdorur nga Drejtoria e Policisë Rrugore për regjistrimin e aksidenteve konsiderohen tashmë të tejkaluar. Struktura e të dhënave nuk përputhet me standardet e rekomanduara nga Komisioni Europian (CADaS) dhe regjistrimi i vendndodhjes së aksidenteve mbështetet vetëm në koordinata GPS, pa një sistem të integruar referencash rrugore apo kilometrash. Kjo e bën të vështirë analizën hapësinore dhe marrjen e masave të shpejta në pikat më të rrezikshme.
Ndryshe nga vendet fqinje, rrjeti rrugor shtetëror në Shqipëri nuk është i digjitalizuar plotësisht dhe mungon një sistem reference i miratuar zyrtarisht, i ndarë në seksione homogjene. Po ashtu, databaza e Policisë nuk integron informacion mbi qarkullimin real të mjeteve, ndërkohë që mungojnë numërues trafiku në seksione kyçe të rrugëve.
Mungojnë të dhënat për sjelljen e përdoruesve të rrugës
Një tjetër boshllëk kritik lidhet me faktin se në vend nuk mblidhen të dhëna mbi shkeljet tipike të përdoruesve të rrugës, duke mos pasur bazë reale për analiza mbi sjelljen e shoferëve dhe këmbësorëve. Në të njëjtën kohë, edhe pse të dhënat mbi automjetet janë të organizuara dhe publike, mungon raportimi mbi kilometrazhin e përshkuar, një tregues thelbësor për të kuptuar ekspozimin ndaj riskut.
Nga të dhënat vihet re se kufizimet aktuale në mbledhjen dhe menaxhimin e të dhënave i bëjnë të mangëta raportimet dhe analizat mbi sigurinë rrugore. Zgjidhja shihet në krijimin e një databaze kombëtare gjithëpërfshirëse, që të integrojë informacion nga policia, institucionet e transportit, spitalet, kompanitë e sigurimeve dhe palët e tjera të interesit. Vetëm në këtë mënyrë Shqipëria mund të arrijë një panoramë të plotë të problemeve të sigurisë rrugore dhe të aplikojë politika të matshme për uljen e aksidenteve. /ekofin.al
Artikull i Ekofin.al
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke
cituar “Ekofin.al”, shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

