Gjatë konferencës “Financa e Gjelbër në Evropën Juglindore: Zhvillimi i Kapaciteteve dhe një Taksonomi”, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, ka deklaruar ndryshimet klimatike përbëjnë një kërcënim serioz për mirëqenien e njerëzve dhe shëndetin e planetit tonë. Këto rreziqe, qofshin ato fizike – për shkak të ngjarjeve ekstreme të motit – ose kalimtare, janë komplekse për t’u kuptuar dhe vlerësuar.
“Ky kompleksitet thellohet në mungesë të një gjuhe ose taksonomie të përbashkët, si dhe të të dhënave të mjaftueshme dhe modeleve empirike e metodave për të vlerësuar këto rreziqe, natyra e të cilave është e sigurt, por shtrirja dhe ndikimet e tyre në sektorin financiar mbeten të përcaktuara e të vlerësuara në mënyrë të dobët”. Sejko tha se, përballë kësaj situate, sektori financiar luan padyshim një rol të rëndësishëm në arritjen e këtij synimi, jo vetëm përmes përzgjedhjes e financimit të projekteve të gjelbra, por edhe duke ruajtur ekuilibrin e kërkesë-ofertës në tregje. Në të njëjtën kohë, sektori financiar është veçanërisht i ekspozuar ndaj rreziqeve të ndryshimit të klimës.
Sejko ka siguruar se Banka e Shqipërisë po punon për të përshtatur kuadrin rregullativ me ndryshimet klimatike.
“Si një institucion publik, Banka e Shqipërisë është e përkushtuar për të kuptuar dhe trajtuar pasojat ekonomike dhe financiare të ndryshimeve klimatike dhe kalimin në një ekonomi me emetim neto zero. Ne po punojmë për të përshtatur kuadrin regullativ dhe politikat tona me këto ndryshime. Ndarja e njohurive, praktikave, diskutimet, trajnimi i stafit dhe edukimi i publikut, janë të rëndësishëm në këtë proces dhe Banka e Shqipërisë do të vazhdojë t’i dedikojë burime të mjaftueshme studimit dhe modelimit të efekteve të klimës në stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar”, u shpreh Guvernatori.
