Ministria e Bujqësisë ka shpallur një plan për rritjen e gradualë të numrit të fermerëve që do të përfitojnë naftë falas për punimet mekanizuara në bujqësi. Për vitin 2024 dhe 2025, projektohet që rreth 31,500 fermerë të shfrytëzojnë këtë mbështetje, ndërsa për vitin 2026, numri do të rritet në 32,500 dhe deri në 33,000 në vitin 2027. Kjo rritje, sipas Ministrisë, është pjesë e angazhimit për të mbështetur zhvillimin e bujqësisë dhe për të lehtësuar barrën financiare të fermerëve.
Në vitin 2024, për 54,255 aplikime për mbështetje me naftë, janë përzgjedhur deri tani 23,190, që përbën rreth 43% të aplikimeve të pranuara. Ministria ka theksuar se fondi prej 12 milionë eurosh për këtë vit do të ndahet proporcionalisht mes aplikantëve që plotësojnë kriteret e përcaktuara.
Sipas Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, qarku i Fierit ka numrin më të madh të aplikantëve dhe përfituesve nga skema, duke pasuar më pas qarku i Korçës, Beratit, Shkodrës, Elbasanit dhe Vlorës. Ndihma për naftën për fermerët që kultivojnë deri në 10 hektarë mbulon deri 100% të vlerës, ndërsa për ata që kanë sipërfaqe mbi 10 hektarë, mbështetja zvogëlohet me 50%.
Një ndryshim tjetër i rëndësishëm në këtë skemë është kalimi nga përdorimi i kartave të naftës në transferimin direkt të fondeve nëpërmjet bankave. Ministria ka shpallur gjithashtu një marrëveshje të mundshme me bankat tregtare për të ofruar shërbime bankare me kosto të ulëta për fermerët përfitues të naftës.
