Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete priti në një takim zyrtar menaxherin e Bankës Botërore për Shqipërinë, Emanuel Salinas.
Sipas njoftimit nga MFE, Mete vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me Bankën Botërore dhe falënderoi Salinas për mbështetjen e vazhdueshme që BB i ka dhënë dhe i jep vendit tonë në procesin e reformave drejt integrimit europian dhe zhvillimit ekonomik.
Nga ana e tij, Salinas uroi Meten për detyrën e re si ministër i Financave dhe Ekonomisë dhe shprehu gatishmërinë e Bankës Botërore për të vijuar bashkëpunimin dhe mbështetjen për Shqipërinë.
Gjatë takimit u diskutua lidhur me rëndësinë e Procesit të Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të të cilit më datë 26 shtator do të mbahet në Tiranë “Forumi i Ministrave të Ekonomisë”. Dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim për nevojën për të shtyrë përpara procesin e Berlinit, si një mundësi shumë e mirë për mbështetje dhe zhvillimin ekonomik të vendeve të rajonit, drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Banka Botërore u angazhua në mbështetjen e projekteve në tregti dhe transport, në Shqipëri dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu një tjetër fushë ku Banka Botërore do të ofrojë mbështetjen dhe asistencën e saj ka të bëjë me sistemet e pagesave.
Deri më sot Banka Botërore ka ofruar për Shqipërinë mbi 2.4 miliardë USD financime, ku peshën më të madhe e zë mbështetja buxhetore me 42.23 %, duke vijuar me investimet në sektorin e transportit me 13.77 %, në sektorin e energjisë me 9.65 %, furnizimin me ujë dhe kanalizime me 7.86 % e të tjera.
Këtë vit u miratua nga BB Marrëveshja e re e partneritetit (Country Partnership Framwork for Albania – CPF 2023-2027).
