Në vitin 2024, Shqipëria prodhoi dhe menaxhoi gjithsej 862 mijë tonë mbetje, duke shënuar një rritje prej 2,14 % krahasuar me vitin 2023. Të dhënat zyrtare të përpunuara nga INSTAT, mbi bazën e raportimeve të bashkive, tregojnë se çdo banor gjeneroi mesatarisht 360 kilogramë mbetje gjatë vitit, ose 9 kilogramë më shumë se dy vite më parë.
Pjesën më të madhe e përbëjnë mbetjet familjare dhe ato të ngjashme me to, të cilat arrijnë në 89,5 % të totalit, ose rreth 771 mijë tonë. Brenda tyre, mbetjet organike mbeten dominuese, duke zënë 57,3 % të sasisë totale. Pasojnë plastika dhe letra/kartoni, secila me një peshë prej 9–10 %, ndërsa materialet metalike kanë shënuar një rritje të lehtë në raport me vitet e kaluara.
Ky trend lidhet kryesisht me ndryshimin e zakoneve të konsumit dhe shtimin e paketimit plastik në treg, një sfidë e madhe për mjedisin dhe për politikat e riciklimit.
Edhe pse Shqipëria ka ndërmarrë hapa drejt një ekonomie qarkulluese, landfilli mbetet metoda mbizotëruese për trajtimin e mbetjeve. Në vitin 2024, 76,3 % e mbetjeve u depozituan në landfille.
Nga ana tjetër, riciklimi mbeti në shifra të pandryshuara me 18,8 %, një nivel i konsideruar ende i ulët në krahasim me objektivat e BE-së. Ndërkohë, 4,9 % e mbetjeve u dogjën për prodhim energjie, duke përfaqësuar një metodë alternative, por ende në kufij modestë.
Një zhvillim pozitiv është reduktimi drastik i hedhjeve të paligjshme jashtë landfillit, që kanë zbritur në vetëm 0,02 % të totalit – një tregues i përmirësimit të kontrollit dhe menaxhimit nga bashkitë.
Të dhënat tregojnë një rritje të vazhdueshme të mbetjeve për banor, ku në vitin 2022, shifra ishte 295 kg për banor (261 urbane + 34 jo urbane), më tej në 2023: 351 kg për banor (315 urbane + 36 jo urbane) dhe në 2024: 360 kg për banor (322 urbane + 38 jo urbane).
Rritja prej 65 kilogramësh për banor brenda tre vitesh është një tregues i qartë i shtimit të konsumit dhe prodhimit të mbetjeve në vend.
Ekspertët e mjedisit theksojnë se, pavarësisht përmirësimit në mbledhjen dhe reduktimin e hedhjeve të paligjshme, problemi kryesor mbetet niveli i ulët i riciklimit. Shqipëria është ende larg standardeve evropiane, ku riciklimi arrin deri në 50 % të mbetjeve urbane.
Në këtë kuadër, kërkohet më shumë investim në infrastrukturën e grumbullimit të diferencuar, si dhe ndërgjegjësim qytetar për ndarjen e mbetjeve në burim. Vetëm kështu mund të arrihet një menaxhim më i qëndrueshëm dhe një reduktim i varësisë nga landfille. /ekofin.al
