Çmimet e naftës kanë rënë dhe tregjet globale të aksioneve janë rritur pas raportimeve se SHBA dhe Irani janë afër një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës.
Kontratat futures për naftën Brent, që shërben si pikë referimi globale, ranë në 97 dollarë (73 paund) për fuçi pas raportimeve, përpara se të rikuperoheshin mbi 101 dollarë. Më herët gjatë ditës, çmimi kishte kaluar 108 dollarë.
Indeksi FTSE 100 i kompanive më të mëdha në Londër dhe indeksi gjerman Dax u mbyllën me rritje mbi 2%, ndërsa indeksi francez CAC 40 u rrit me 3%. Edhe tregjet aziatike e mbyllën ditën në rritje, ndërsa indeksi amerikan S&P 500 u rrit me 1% në fillim të tregtimit.
Lëvizjet në treg erdhën pasi Axios raportoi se SHBA beson se është afër një dokumenti njëfaqësh që do t’i japë fund luftës dhe do të hapë negociata të detajuara për çështjen bërthamore.
Disa orë më vonë, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Iranit i tha agjencisë Iranian Students’ News Agency se propozimi amerikan për t’i dhënë fund luftës ishte ende në shqyrtim.
Megjithatë, jo shumë kohë pas kësaj, Donald Trump sugjeroi se një marrëveshje mund të jetë ende larg. Ai shkroi në rrjetin Truth Social se çdo dakordësi nga ana e Iranit është “një supozim i madh” dhe paralajmëroi se dështimi për të arritur një marrëveshje do të çonte në bombardime “me një nivel dhe intensitet shumë më të lartë” se ato gjatë operacionit “Epic Fury”.
Çmimet e naftës mbeten shumë më të larta se niveli rreth 70 dollarë për fuçi ku ishin përpara nisjes së luftës SHBA-Izrael me Iranin, konflikt që ka ndikuar në uljen e prodhimit dhe transportit të naftës në rajon.
Në qendër të konfliktit është kërcënimi i Iranit për të sulmuar anijet që transportojnë naftë në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë e ngushtë ujore në jug të vendit, si përgjigje ndaj goditjeve të SHBA dhe Izraelit që nga 28 shkurti.
Rreth një e pesta e dërgesave globale të naftës dhe gazit kalon zakonisht nëpër këtë ngushticë, e cila ka qenë praktikisht e mbyllur për javë të tëra. Edhe çmimet globale të gazit janë rritur ndjeshëm që nga nisja e konfliktit.
Sa i përket tregjeve të aksioneve, bursat kryesore evropiane mbeten më të ulëta se nivelet e fundit të shkurtit, ndërsa S&P 500 është më i lartë.
Tregjet aziatike u rritën të gjitha të mërkurën, me indeksin koreano-jugor Kospi që u mbyll me +6.45%, Hang Seng i Hong Kongut me +1.22% dhe Nikkei japonez me +0.38%.
Më 8 prill, SHBA dhe Irani ranë dakord për një armëpushim, çka solli rënie të çmimeve të naftës dhe rritje të bursave. Megjithatë, të dielën, presidenti amerikan Donald Trump tha se ushtria amerikane do të shoqëronte anijet në Ngushticën e Hormuzit në kuadër të “Project Freedom”, duke çuar në shtim të sulmeve në zonë nga të dyja palët.
Trump deklaroi më pas se do ta pezullonte operacionin “për një periudhë të shkurtër” për të parë nëse marrëveshja mund të finalizohet dhe nënshkruhet, duke shtuar se është bërë “progres i madh drejt një marrëveshjeje të plotë dhe përfundimtare me përfaqësuesit e Iranit”.
Ai theksoi gjithashtu se SHBA do të vazhdojë të bllokojë anijet që hyjnë dhe dalin nga portet iraniane, një masë që synon të ushtrojë presion mbi ekonominë e Iranit.
Sipas Axios, SHBA beson se është pranë një memorandumi mirëkuptimi që do të shpallte fundin e luftës dhe do të hapte një periudhë 30-ditore negociatash për rihapjen e ngushticës, kufizimin e programit bërthamor të Iranit dhe heqjen e sanksioneve amerikane.
Raportimet sugjerojnë se kjo është pika më e afërt e arritjes së një marrëveshjeje që nga nisja e konfliktit, ndërsa SHBA pret një përgjigje nga Irani brenda 48 orëve për disa çështje kyçe.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se ofensiva fillestare SHBA-Izrael në Iran ka përfunduar dhe se objektivat janë arritur, duke shtuar se “rruga e preferuar është paqja” dhe se presidenti dëshiron një marrëveshje.
Nga ana tjetër, Irani nuk ka reaguar ndaj këtyre deklaratave, ndërsa kryetari i parlamentit Mohammad Ghalibaf tha se “vazhdimi i situatës aktuale është i papranueshëm për Amerikën, ndërsa ne sapo kemi filluar”.
Operacioni “Project Freedom”, që synon lehtësimin e qarkullimit të energjisë në ngushticë, ka testuar armëpushimin mes palëve. SHBA ka deklaruar se ka goditur disa mjete të shpejta iraniane në zonë, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe kanë akuzuar Iranin për sulme ndaj një prej porteve të tyre të naftës, akuza që Teherani i ka mohuar./Përshtati nga BBC, ekofin.al
