Ministria e Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut ka njoftuar se paga minimale do të shënojë rritje prej rreth 2,000 denarësh (32.5 euro) në muajin mars të vitit 2026. Aktualisht, paga minimale në vend është rreth 395 euro.
Ministria theksoi se po punon në harmonizimin e të ardhurave minimale me rritjen e inflacionit dhe kostot e jetesës, me qëllim që punonjësit të ndiejnë realisht përmirësim në buxhetet familjare.
Ndërkohë, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë së Veriut (LSM) mbetet e palëkundur në kërkesën që paga minimale të arrijë në 500 euro. Sipas sindikatave, me rritjen aktuale rroga ende mbetet e pamjaftueshme për të përballuar shpenzimet bazë mujore.
Maqedonia e Veriut ka aktualisht një nga pagat minimale më të ulëta në rajon, megjithëse jo të fundit. Në Shqipëri, paga minimale në sektorin privat dhe publik është 400 euro, por nga janari 2026 ajo do të rritet në 500 euro. Serbia ka rritur pagën minimale në rreth 402–405 euro në vitin 2025, ndërsa Mali i Zi mbetet ndër vendet me pagën më të lartë minimale në rajon, me rreth 532 euro. Bosnja dhe Hercegovina ka një situatë të fragmentuar, por pagat minimale zakonisht variojnë nga 330 deri në 450 euro, në varësi të entitetit.
