Sektori i turizmit po shfaq shenja formalizimi në prag të sezonit veror. Të dhënat e tatimeve në Vlorë tregojnë se në mars 2026 numri i punonjësve të deklaruar në sektorët e lidhur me turizmin është rritur me 14.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas autoriteteve, rritja më e ndjeshme është regjistruar te kategoritë me paga më të larta, një tregues që interpretohet si sinjal i formalizimit më të madh të marrëdhënieve të punës dhe deklarimit real të pagave në sektor.
Po ashtu, bizneset turistike kanë rritur ndjeshëm edhe pagesat fiskale. Gjatë vitit 2025, pagesat e TVSH-së nga sektori i turizmit arritën në 215.1 milionë lekë, ose 54% më shumë krahasuar me vitin 2024. Rritja më e fortë është evidentuar në aktivitetet e akomodimit, shërbimeve ushqimore dhe dhënies me qira të mjeteve të transportit.
Këto të dhëna u bënë publike gjatë një takimi që Ministri i Financave Petrit Malaj zhvilloi me bizneset e sektorit të turizmit në qytetin e Vlorë, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj.
Në fokus të diskutimeve ishte zbatimi i Planit Operacional për Turizmin dhe masat që po ndërmerren për formalizimin e mëtejshëm të sektorit.
Ministri Malaj theksoi se turizmi po njeh rritje të ndjeshme në vend, por paralelisht me zgjerimin e aktivitetit ekonomik duhet të rritet edhe niveli i formalizimit.
Sipas tij, deklarimi korrekt i punonjësve, raportimi real i pagave dhe zbatimi i faturimit elektronik janë elementë kyç për garantimin e konkurrencës së ndershme dhe përmirësimin e standardeve të shërbimit në treg.
“Formalizimi i aktivitetit turistik është i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit dhe për mbështetjen e bizneseve të ndershme”, u shpreh ministri.
Në kuadër të Planit Sektorial të Turizmit 2026, Administrata Tatimore paralajmëroi se do të intensifikojë monitorimin dhe kontrollet gjatë sezonit turistik, duke përdorur analiza risku dhe teknologji të avancuara për identifikimin e subjekteve me risk të lartë informaliteti.
Masat do të fokusohen kryesisht te verifikimi i deklarimit të punonjësve, kontrolli i zbatimit të faturimit elektronik, monitorimi i deklarimeve të xhiros dhe pagave si dhe evidentimi i rasteve të evazionit fiskal.
Këto masa synojnë jo vetëm rritjen e të ardhurave në buxhet, por edhe krijimin e një tregu më të rregulluar dhe më konkurrues në një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare. /ekofin.al
