Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko prezantoi sot në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, raportin e vitit 2023 të institucionit që ai drejton, ku theksoi se “ekonomia shqiptare ka shfaqur një shkallë të admirueshme rezistence përballë sfidave madhore të viteve të fundit dhe pati një nga normat më të larta të rritjes ekonomike dhe normën më të ulët të inflacionit ndër vendet e rajonit”. Sejko tha se, “rritja ekonomike u mbështet nga zgjerimi i konsumit familjar, i investimeve private, i eksportit të shërbimeve të turizmit, politika fiskale në kah konsolidues, zgjerimi i kredisë bankare, inflacioni në rënie dhe rritja e shpejtë të të ardhurave nga turizmi”.
Duke iu referuar statistikave zyrtare, Sejko bëri të ditur se, “ekonomia u rrit me 3.4% gjatë vitit të shkuar, punësimi u rrit me 2.2%, ndërsa norma e papunësisë zbriti në minimumin e ri historik prej 10.7% në fund të vitit. Niveli mesatar i pagave në sektorin privat u rrit 13% ndërsa inflacioni shënoi një rënie graduale, nga niveli 7.4% në fillim të vitit 2023 në nivelin 4% në fund të tij, dhe në nivelin 2.7% në tremujorin e parë të vitit 2024”.
Banka e Shqipërisë parashikon një rritje të mëtejshme të ekonomisë gjatë viteve të ardhshme, e mbështetur nga rritja e konsumit, e investimeve, eksporteve, punësimit dhe pagave, si dhe stabilizim të inflacionit pranë objektivit prej 3 %.
