Nga Dritan Shano
Kapitali njerëzor përcakton se sa ndërton një vend. Por nuk është thënë kurrë se kush paguan apo kush e mbledh investimin e bërë.
Shpenzimet për njeriun janë investim. U deshën tridhjetë vjet që kjo ide të fitonte terren dhe sot përsëritet, pa kundërshtime, në çdo ministri financash në Evropë.
Por nuk ka qenë gjithmonë kaq e qartë. Për pjesën më të madhe të shekullit të kaluar, arsimi dhe shëndetësia qëndronin në anën tjetër të argumentit, mes gjërave që një vend mund t’i përballonte pasi të ishte pasuruar më parë përmes mënyrave të tjera. Agjenda e kapitalit njerëzor e përmbysi këtë renditje dhe argumentoi se një vend pasurohet përmes tyre, jo pasi është pasuruar. Argumenti fitoi. Sot e gjen në strategji, në dokumentet e huadhënies dhe në fjalimet e ministrave, dhe askush në nivelet e larta nuk argumenton më kundër tij.
Fjalia është e vërtetë. Por është e papërfunduar.
Çdo investim ka tri pjesë. Ka një buxhet. Ka dikë që paguan. Dhe ka dikë që mbledh atë që investimi prodhon. Agjenda e kapitalit njerëzor e ka trajtuar me shumë kujdes pjesën e parë. Ajo ka llogaritur se çfarë përfiton një vend në këmbim të asaj që shpenzon për njerëzit dhe ka treguar se paratë e investuara në vitet më të hershme japin kthimin më të madh. Për dy pjesët e tjera nuk thotë asgjë. Dhe kjo nuk është një boshllëk i vogël në një argumentim të qartë e të plotë. Janë dy të tretat e asaj që do të thotë fjala “investim”.
Një shtet mund të rrisë dhe edukojë një brez të tërë dhe të mos marrë asgjë prej tij. Kostoja e formimit të një individi bie në një shtet, ndërsa kthimi/potenciali mblidhet diku tjetër. Shkollimi është këtu. Paga është diku tjetër. Atje janë edhe kontributet për pensionet dhe taksat që do të kishin financuar shkollimin e ardhshëm.
Asgjë nga këto etapa nuk konsiderohet si ndonjë dështim, pasi asgjë nga këto nuk llogaritet. Vendet renditen sipas kapacitetit që ndërtojnë dhe një vend ngjitet në atë renditje kur u jep fëmijëve të tij një arsim më të mirë. Ai vazhdon të ngjitet pavarësisht nëse ata fëmijë përfundojnë duke punuar në Tiranë apo në Mynih. Renditja regjistron atë që u ndërtua. Nuk thotë asgjë për atë që merr përfitimet pas investimit.
Një familje e di këtë edhe pa përdorur të njëjtën terminologji.
Familja paguan për të rritur një fëmijë dhe paguan për shkollimin e tij. Pastaj, pikërisht në momentin kur ai është gati të fillojë të fitojë të ardhura, paguan edhe një herë: biletën, depozitën, vitin e parë të qirasë në një vend tjetër. Gjithçka që ai fiton më pas, dhe çdo taksë që paguan mbi të, shkon te një shtet që nuk ka shpenzuar asgjë për ta rritur.
Kjo skemë nuk ka një autor. Çdo pjesë e shtetit kryen punën e vet siç duhet dhe e raporton në kohë. Ministria që ndërton kapacitetin nuk është ministria që do të mbledhë kthimin dhe puna e askujt nuk varet nga fakti nëse kthimi i investimit mbërrin ndonjëherë. Kështu, një vend mund të ngjitet vit pas viti në çdo renditje ku matet, ndërsa pikërisht ajo gjë që këto renditje janë krijuar për ta mbrojtur largohet heshurazi prej vendit.
Dy gjëra ndryshojnë sapo rikthejmë dy pjesët e tjera: kush paguan dhe kush mbledh.
E para është ajo që quajmë sukses. Një sistem arsimor nuk përfundon kur një fëmijë mëson të lexojë. Ai përfundon kur ajo që ka ndërtuar po përdoret në vendin që e ka paguar. Ky është një test më i vështirë, por është pikërisht testi për të cilin është shpenzuar paraja.
E dyta është mënyra se si argumenti mund t’i paraqitet një ministrie financash. Për sa kohë shpenzimet për fëmijët paraqiten si kosto, ato qëndrojnë në radhë pas çdo kostoje tjetër dhe rendin e kësaj radhe e përcakton kushdo që është më i kushtueshëm atë vit. Por kur paraqiten si një investim, kthimin e të cilit po e mbledh një shtet tjetër, argumenti pushon së qeni një pretendim moral. Pretendimet morale vetëm sa admirohen dhe zakonisht shtyhen për më vonë. E parë si çështje kontabilitet nuk mund ta heqësh nga tavolina. Kur një ministri financash i tregohet se vendi i tij paguan për të ndërtuar diçka dhe më pas, kthimin e investimit ja mbledh një shtet tjetër, atij po i tregohet një boshllëk në të ardhurat e vendit të tij, në kontributet që financojnë pensionet dhe në çdo parashikim afatgjatë që ai firmos. Nuk ka nevojë të bindet për rëndësinë e fëmijëve për të dashur ta mbyllë atë boshllëk.
Mund të ketë një qasje të gabuar vetëm një hap larg gjithë këtij argumenti, por që është më mirë ta mbyllim tani sesa ta lëmë dikë tjetër ta gjejë. Nëse një vend tjetër po mbledh kthimin, pse të mos shpenzojmë më pak dhe ta lëmë atë vend të paguajë për atë që merr? Përgjigjja është se shpenzimi më i ulët nuk ndryshon se kush largohet. Njerëzit me më shumë aftësi largohen të parët dhe do të largoheshin edhe nga një sistem arsimor më i dobët, vetëm se më herët dhe me më pak mundësi. Ajo që ndryshon shpenzimi më i ulët është ajo që ata që qëndrojnë janë në gjendje të bëjnë me jetën e tyre. Dhe paratë që dërgohen në shtëpi nuk janë kthimi që rikthehet. Remitancat paguajnë për një kuzhinë. Asnjë vend nuk ka ndërtuar çerdhe, nuk ka trajnuar një mësues apo nuk ka hapur një pavijon pediatrie me to.
Prandaj, përfundimi shkon në drejtimin e kundërt. Një vend që humbet një pjesë të asaj që ndërton duhet ta bëjë pjesën që mbetet akoam edhe më të vlefshme. Kjo do të thotë të ndërtojë më shumë prej saj dhe ta ndërtojë më herët, në vitet kur paratë japin kthimin më të madh. Shqipëria nuk mund të përballojë të investojë te fëmijët e saj në nivelet e një vendi që e mban të gjithë gjeneratën në vend. Duhet të investojë mbi atë nivel, jo nën të.
Ky ndryshim nuk i kërkon askujt të kujdeset më shumë për fëmijët sesa kujdeset tashmë. Kërkon vetëm një pyetje më shumë. Jo: Sa kapacitet po ndërton ky vend? – pyetje që merr përgjigje çdo vit. Por: Kush pagoi për të dhe ku po shpenzohet? — pyetje që nuk merr përgjigje askund.
Asnjëra pyetje nuk vlen shumë e vetme. “Sa po ndërtojmë?”, si pyetje e vetme, prodhon një renditje ku një vend mund të rritet në përfitime ndërsa zbrazet. “Kush paguan dhe kush mbledh?”, vetë si pyetje, është një ankesë pa asgjë konkrete për të vepruar. Të dyja pyetjet e kryera së bashku përshkruajnë një gjë: çfarë investon vendi dhe çfarë merr në këmbim.
Dhe kjo është e vetmja formë në të cilën argumenti mund të ngrihet dhe të fitohet. Aty ku ngrihen këto dy pyetje përcaktohet nëse prej tyre do të rrjedhë diçka. Të vendosura në një strategji, ato prodhojnë një kapitull. Dhe Shqipëria ka mjaft kapituj. Të vendosura në buxhet, ato prodhojnë një vendim. Sepse buxheti është i vetmi dokument shtetëror që diskutohet çdo vit, rresht për rresht, nga njerëz të cilët duhet të mbrojnë publikisht atë që shkurtojnë. Një argument që nuk mund të tregohet aty duhet të merret mbi bazën e besimit. Dhe besimi humbet përballë aritmetikës, çdo herë.
Shqipëria numëron fëmijët që edukon. Numëron të rinjtë që largohen. Të mbajtur veçmas, numri i parë duket si një arritje dhe i dyti si fat i keq. Në të njëjtën faqe, ata tregojnë një gjë tjetër: Vendi shpenzoi. Dikush tjetër përfitoi.
Vendosja e tyre në të njëjtën faqe nuk është një ushtrim kontabël.
Është një mënyrë tjetër për të marrë vendime. Çdo zgjedhje e madhe që ky vend bën për fëmijët, shkollat, pagat, strehimin dhe pensionet do të duhej t’u përgjigjej të dyja pyetjeve përpara se të firmosej, jo pasi të ishte marrë vendimi; dhe të përgjigjej aty ku vendoset paraja, jo aty ku shkruhen qëllimet. Një vend që e bën këtë vazhdon të investojë te njerëzit e tij.
Thjesht ka filluar të pyesë se çfarë merr në këmbim.
