Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha se duke marrë shkas nga diskutimet e fundit mbi situatën e krijuar në një segment të veçantë të sistemit financiar, atë të trajtimit të kredive me probleme, Këshilli Mbikëqyrës gjen me vend të theksojë sa më poshtë.
“Banka e Shqipërisë është një institucion kushtetues, i mandatuar nga ligji me një mision thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit: atë të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve dhe të mbështetjes së stabilitetit financiar. I gjithë aktiviteti politikëbërës, rregullator dhe mbikëqyrës i institucionit, ka qenë dhe mbetet i orientuar ekskluzivisht drejt përmbushjes së këtij misioni.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka ushtruar me përgjegjësi e profesionalizëm detyrën e tij, si organi më i lartë vendimmarrës dhe mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë.
Ai ka marrë gjithnjë vendime në interes të së mirës publike të vendit dhe të shoqërisë, ka monitoruar me vëmendje dhe në përputhje me mandatin ligjor zbatimin e detyrave të ngarkuara, si dhe është njohur rregullisht me raportimet e njësive organizative të Bankës, përfshi edhe ato të mbikëqyrjes bankare.
Në tërësi, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se aktiviteti i Bankës së Shqipërisë ka qenë në përputhje me bazën ligjore e rregullatore dhe i ka shërbyer përmbushjes së misionit të saj në linjë me nevojat e zhvillimit ekonomik të vendit.
Banka e Shqipërisë dhe Këshilli Mbikëqyrës mbeten të gatshëm të mbështesin në vijim të gjitha reformat e nevojshme ligjore për adresimin e problematikave që kanë dalë në pah nga zhvillimet e tregut të trajtimit të kredive me probleme, si dhe të ndërmarrë me prioritet çdo nismë të nevojshme rregullatore, e cila qëndron brenda mandatit dhe kompetencës së vet”, tha guvernatori.
