Kredia për blerjen e banesave vijon të rritet me ritme të larta në Shqipëri. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, kredia hipotekare u zgjerua me 16.1% në terma vjetorë, ndërsa kredia për sektorin privat në tërësi u rrit me 14.3%, duke e çuar raportin e kredisë private ndaj PBB-së në rreth 35%, niveli më i lartë i dekadës së fundit.
Zhvillimet në kreditim dhe në tregun e pasurive të paluajtshme ishin në qendër të takimit të zhvilluar më 16 shtator nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, me drejtorët e përgjithshëm të bankave tregtare, ku mori pjesë edhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj.
Takimi u fokusua te ecuria e kreditimit, financimi i ekonomisë, zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme dhe çështje të lidhura me stabilitetin e sistemit financiar.
Sipas të dhënave të prezantuara, rritja e kredisë po shfaqet si në segmentin e bizneseve, ashtu edhe te individët. Në rastin e kredive hipotekare, rritja vjetore prej 16.1% shoqërohet me një normë mesatare interesi prej 3.9% për kreditë në lekë.
Rritja e kreditimit për banesa ka sjellë në fokus edhe lidhjen mes zgjerimit të kredisë dhe dinamikës së tregut të pasurive të paluajtshme. Në këtë kuadër, Sejko u ndal te masat makroprudenciale të Bankës së Shqipërisë, përmes të cilave janë vendosur kufij për kredidhënien për pasuritë e paluajtshme rezidenciale, bazuar në raportin kredi ndaj vlerës së pronës dhe shërbimi i borxhit ndaj të ardhurave.
Sipas Guvernatorit, këto masa kanë dhënë efektet e pritshme, duke kontribuar në një kreditim më të kujdesshëm dhe të balancuar të tregut të banesave dhe në forcimin e qëndrueshmërisë së sektorit bankar.
Në tërësi, Banka e Shqipërisë vlerëson se ritmet aktuale të kreditimit krijojnë hapësirë që sektori bankar të vijojë të mbështesë konsumin dhe investimet, por kërkon që zgjerimi i kredisë të shoqërohet me standarde të përshtatshme kreditimi dhe administrimi të rrezikut.
25 miliardë lekë për bizneset dhe fermerët
Në takim u diskutua edhe Programi i Financimit të Biznesit Mikro, të Vogël dhe të Mesëm, përmes të cilit Banka e Shqipërisë ka vënë në dispozicion një fond prej 25 miliardë lekësh për financimin e bizneseve mikro, të vogla e të mesme dhe fermerëve.
Programi është zgjatur deri në fund të vitit 2027 dhe synon përmirësimin e aksesit në financim dhe uljen e kostos së kredisë. Deri tani, Banka e Shqipërisë ka injektuar rreth 2.2 miliardë lekë likuiditet në sistemin bankar për financimin e bizneseve përfituese.
Guvernatori Sejko u ka kërkuar bankave të angazhohen më aktivisht në zbatimin e këtij programi dhe të përdorin fondet dhe kushtet e favorshme që ai ofron për financimin e investimeve dhe zgjerimin e kapaciteteve prodhuese.
Në takim u diskutuan gjithashtu çështje që lidhen me misionin e Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP) në Shqipëri dhe angazhimin e sektorit bankar në këtë proces.
Takimi mes Bankës së Shqipërisë, qeverisë dhe bankave tregtare vjen në një periudhë kur zgjerimi i kredisë, veçanërisht financimi i pasurive të paluajtshme, mbetet një nga zhvillimet kryesore të sistemit financiar. Qëndrueshmëria e këtij ritmi dhe menaxhimi i rrezikut do të jenë elementë të rëndësishëm për ecurinë e mëtejshme të tregut të kredisë.

