Procesi për përzgjedhjen e Kryetarit të Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) ka përfunduar pa sukses. Në një njoftim zyrtar të Kryeministrisë, publikuar më 7 prill 2026, bëhet e ditur se procedura e aplikimit nuk arriti të prodhojë një kandidat të kualifikuar në numrin minimal të kërkuar nga ligji, duke detyruar mbylljen e saj pa rezultat.

Ky zhvillim vjen pas thirrjes së hapur nga Kryeministria në fund të vitit 2025, në një moment delikat për institucionin, i cili konsiderohet hallkë kyçe në sistemin e prokurimit publik në vend. KPP është organi më i lartë administrativ që shqyrton ankesat për tenderat publikë, koncesionet/PPP-të dhe procedurat konkurruese, duke pasur një rol të drejtpërdrejtë në garantimin e ligjshmërisë dhe konkurrencës në përdorimin e fondeve publike.
Dështimi i kësaj procedure ngre pikëpyetje mbi interesin dhe cilësinë e kandidatëve për një pozicion që kërkon standarde të larta profesionale dhe integriteti. Sipas kritereve të shpallura, kandidatët duhet të kishin arsim juridik, përvojë të konsiderueshme në prokurime dhe drejtim, si dhe të kalonin filtrat e pastërtisë së figurës dhe integritetit.
Ky proces ishte parë si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të besueshmërisë së institucionit, sidomos në një kohë kur drejtuesi aktual, Jonaid Myzyri, ndodhet nën hetim nga SPAK për dyshime mbi shkelje në procedurat e tenderimit. Edhe pse ai vijon të jetë praktikisht në detyrë pas heqjes së masës së pezullimit nga GJKKO, situata e krijuar ka shtuar presionin për një zëvendësim të mundshëm dhe për rikthimin e besimit në vendimmarrjen e KPP.

Aktualisht, institucioni po drejtohet nga nënkryetari, Fiorent Zguro, ndërsa u përfol në media se një kandidate potenciale për të marrë drejtimin ishte Irma Droboniku.
Tashmë është e paqartë se çfarë do të ndodhë me drejtuesin e ri të institucionit dhe mungesa e tij rrezikon të krijojë vakum institucional dhe të ndikojë në efikasitetin e shqyrtimit të ankesave, në një kohë kur volumi i procedurave publike dhe interesat financiare të përfshira mbeten të larta.
Pritet që autoritetet të rihapin procedurën, por deri atëherë institucioni do të vijojë të drejtohet nga Zguro. /ekofin.al
