Në vitin 2024, ndikimi ekonomik i konflikteve të armatosura arriti në 20 trilionë dollarë në nivel global, i matur sipas fuqisë blerëse (PPP). Sipas analizës së Institute for Economics and Peace, shpenzimet ushtarake dhe kostot e sigurisë së brendshme përbënin 74% të totalit, në një kohë kur fragmentimi gjeopolitik po rritet. Ndërkohë, kostoja e refugjatëve dhe humbjet në PBB u rritën ndjeshëm.
Të dhënat tregojnë se cilat janë 10 vendet me koston më të lartë ekonomike si pasojë e konflikteve të armatosura, si përqindje e PBB-së në 2024 (vlerësime në terma PPP), duke përfshirë kosto direkte dhe indirekte: shpenzime ushtarake, humbje në prodhim ekonomik dhe kosto nga vdekjet e konflikteve.
Listën e 10 vendeve sipas kostos ekonomike (% e PBB, 2024) e kryeson Afganistani me 41.6%, i ndjekur nga Ukraina me 40.9%; Koreja e Veriut me 39.1%; Siria me 34.0%, Somalia me 24.7%. Republika e Afrikës Qendrore me 22.5%; Kolumbia me 19.7%; Territoret Palestineze me 19.4%; Burkina Faso me 19.0% dhe Qipro me 16.8%. Ndërkohë, mesatarja e 10 vendeve është 27.8% e PBB.
Pse kryeson Afganistani?
Afganistani renditet i pari globalisht, i nxitur nga shpenzime të larta ushtarake dhe kosto të mëdha të refugjatëve. Megjithëse incidentet e dhunës kanë rënë pas rikthimit të Talibanit në 2021, vendi mban peshën e tretë më të lartë të shpenzimeve ushtarake në botë si përqindje e PBB-së (15.1%), ndërsa numri i refugjatëve afganë arrin rreth 5.8 milionë.
Ukraina: dëme masive në pasuri dhe infrastrukturë
Në Ukrainë, kostoja e konflikteve të armatosura arriti në 40.9% të PBB-së në 2024. Deri tani gjatë luftës, ndërtesat e banimit kanë pësuar rreth 60 miliardë dollarë dëme; infrastruktura dhe transporti rreth 38.5 miliardë dollarë humbje, ndërsa 260 mijë automjete private janë dëmtuar ose shkatërruar.
Gaza dhe territori palestinez
Territoret palestineze renditen të tetat globalisht me kosto 19.4% të PBB-së. Pas Ukrainës, kanë regjistruar numrin e dytë më të lartë të viktimave në botë në 2024, duke reflektuar barrën e rëndë ekonomike të luftës në Gaza.
Të dhënat tregojnë se, përtej humbjes njerëzore, konfliktet e armatosura po shndërrohen në një krizë ekonomike globale me përmasa rekord, duke rënduar buxhetet publike, rritjen ekonomike dhe stabilitetin social në shumë rajone./Përshtati nga Visual Capitalist, ekofin.al

