Investimet publike në Shqipëri mbetën 25.45 miliardë lekë nën planin përfundimtar gjatë vitit 2025, kryesisht për shkak të mosrealizimit të projekteve me financim të huaj.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, nga 157 miliardë lekë të planifikuara për shpenzime kapitale, u realizuan 131.58 miliardë lekë, ose 83.8% e planit. Vetëm investimet me financim të huaj rezultuan 15.83 miliardë lekë nën parashikim, duke përfaqësuar 62.2% të gjithë diferencës.
Raporti i KLSH-së mbi zbatimin e buxhetit 2025 konstaton se investimet me financim të huaj arritën në 20.3 miliardë lekë, kundrejt një plani përfundimtar prej 36.12 miliardë lekësh. Kjo do të thotë se u realizua vetëm 56.2% e financimit të planifikuar për këtë kategori, ndërsa 43.8% mbeti i parealizuar.
Mosrealizimi është konstatuar edhe pse parashikimet buxhetore për investimet u ulën gjatë vitit. Vetëm me aktin normativ të 19 dhjetorit 2025, plani i përgjithshëm i shpenzimeve kapitale u reduktua nga 164.14 miliardë në 157.03 miliardë lekë. Edhe pas këtij rishikimi, të kryer vetëm pak ditë përpara mbylljes së vitit, diferenca ndërmjet planit dhe realizimit mbeti e konsiderueshme.
Megjithatë, krahasuar me vitin 2024, investimet kapitale në tërësi janë rritur me 16.15 miliardë lekë. Edhe investimet me financim të huaj kanë shënuar rritje prej 2.87 miliardë lekësh. Problematika e evidentuar nga auditimi lidhet, pra, me mosarritjen e objektivave të vitit 2025, pavarësisht rritjes së shpenzimeve në raport me një vit më parë.
Financimet e huaja, probleme edhe me planifikimin dhe raportimin
Sipas raportit, KLSH ka identifikuar parregullsi në administrimin e projekteve me financim të huaj. Për 25 projekte janë raportuar shpenzime prej 150 milionë lekësh, megjithëse nuk rezultonin fonde të planifikuara për to në buxhet, as pas ndryshimeve të miratuara në dhjetor.
Ndërkohë, në 67 projekte të tjera, shpenzimet faktike kanë tejkaluar fondet e miratuara me 1.07 miliardë lekë. Sipas auditimit, këto diferenca nuk janë sistemuar nëpërmjet rishikimeve ose rialokimeve buxhetore gjatë vitit, në kundërshtim me kërkesat për zbatimin e buxhetit.
Po sipas të dhënave, një tjetër problem lidhet me mënyrën e regjistrimit të investimeve. KLSH ka konstatuar se 677 milionë lekë janë raportuar si shpenzime kapitale me financim të huaj, megjithëse në fakt përfaqësonin shpenzime korrente, si paga, kontribute të sigurimeve dhe shpenzime operative. Nga kjo shumë, 615 milionë lekë janë financuar nga grantet dhe 62 milionë lekë nga kreditë.
Kjo mënyrë klasifikimi, sipas auditimit, ka sjellë mbivlerësimin e shpenzimeve të raportuara si investime dhe nënvlerësimin e shpenzimeve korrente.
Probleme ka pasur edhe në rakordimin e të dhënave. Për investimet me financim të huaj, KLSH ka konstatuar diferenca prej 394 milionë lekësh ndërmjet të dhënave të strukturës përgjegjëse për borxhin dhe atyre të thesarit, të lidhura me përdorimin e kurseve të ndryshme të këmbimit dhe trajtimin e komisioneve të disbursimit.
Plani i Rritjes me BE, pa shpenzime për investime gjatë 2025
Një tjetër rast i mosrealizimit lidhet me Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian për Shqipërinë. Në buxhetin përfundimtar të vitit 2025 ishin parashikuar 700 milionë lekë për këtë komponent investimesh, por nuk u realizua asnjë shpenzim.
Sipas raportit, në kuadër të Planit të Rritjes ishte parashikuar financim prej 228.47 milionë eurosh për projekte investimi, por deri në fund të vitit 2025 nuk u krye asnjë disbursim për këtë komponent, për shkak të mosfinalizimit të marrëveshjeve me Bankën Evropiane të Investimeve dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Ndërkohë, edhe investimet me financim të brendshëm mbetën 6.95 miliardë lekë nën plan, ndonëse realizimi i tyre ishte më i lartë, në masën 93.9%. Mosrealizime të tjera u konstatuan në Fondin e Rindërtimit, me 1.84 miliardë lekë, dhe investimet nga të ardhurat e institucioneve të arsimit të lartë, me 135 milionë lekë.
Auditimi ngre shqetësime edhe për përbërjen e investimeve të raportuara. Në investimet me financim të brendshëm janë përfshirë 9.17 miliardë lekë transferta kapitale për agjenci dhe ndërmarrje publike, kryesisht Albcontrol dhe Korporatën e Investimeve Shqiptare, të cilat nuk përfaqësojnë drejtpërdrejt krijimin e aktiveve të prekshme nga njësitë buxhetore. Sipas KLSH-së, kjo praktikë ndikon në krahasueshmërinë e të dhënave ndërmjet viteve dhe në vlerësimin e investimeve faktike./ekofin.al
