Në prokurori ushtrojnë efektivisht detyrën 220 prokurorë, por vetëm 3 prej tyre kanë qenë objekt i procedurave disiplinore nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP).
Sipas raportit vjetor të 2024, gjatë këtij vitit KLP përfundoi tri procedura disiplinore ndaj prokurorëve, me rezultate të ndryshme nga kërkesat fillestare të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë (ILD). Dy prokurorë, A. P. (Berat) dhe Sh. M. (Shkodër), u liruan nga përgjegjësia disiplinore, pasi KLP rrëzoi kërkesat e ILD për vendosjen e masës “vërejtje konfidenciale”: për subjektin A. P., vendimi u mor me shumicë votash (dy kundër), ndërsa për Sh. M., vendimi u mor në unanimitet. Në rastin e tretë, ndaj prokurorit A. B. (Shkodër), KLP e rrëzoi kërkesën për një masë më të rëndë (ulje page deri në 40%) dhe vendosi një masë më të butë: “vërejtje publike”. Vendimi u mor me shumicë, por pati tri vota kundër. Megjithatë asnjë nga vendimet nuk është ankimuar në gjykatë nga subjektet e proceduara, shprehet në raport.
Gjatë vitit 2024, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka mbyllur pa vendim përfundimtar dy procedura disiplinore të nisura nga Inspektorati i Lartë i Drejtësisë (ILD) ndaj prokurorëve që, paralelisht, ishin në proces rivlerësimi kalimtar. Pas shkarkimit nga detyra me vendim të KPK dhe konfirmimit të tij nga KPA, këta prokurorë humbën statusin e magjistratit, çka e bën të pamundur vijimin e procedurës disiplinore ndaj tyre. KLP vlerësoi se statusi i magjistratit është parakusht për shqyrtimin disiplinor, ndaj vendosi mbylljen përfundimtare të këtyre procedurave.
Në proces është një tjetër procedim disiplinor ndaj prokurorit E.R. (Fier), i cili ka ankimuar shkarkimin nga KPK në KPA. KLP e ka pezulluar procedurën disiplinore në pritje të një vendimi të formës së prerë, citohet në raport.
Sipas raportit, ILD ka njoftuar KLP-në për fillimin e hetimeve disiplinore ndaj tetë prokurorëve të tjerë në vitin 2024. Në dy raste (prokurorët A.D. dhe H.M.) hetimet janë mbyllur pa konstatim shkeljesh. Ndërsa për prokurorët e tjerë, D. G., Berat, M. F., Shkodër, E. M., Tiranë, A. N., Durrës,. A. B., Elbasan, A. K., Korçë, B. S., Sarandë D. G., Berat, M. F., Shkodër, E. M., Tiranë, A. N., Durrës,. A. B., Elbasan, A. K., Korçë, B. S., Sarandë hetimet janë në vazhdim dhe nëse konfirmohen shkelje, KLP do të zhvillojë procedurat përkatëse disiplinore.
ILD ka dërguar zyrtarisht kërkesë për procedim vetëm për një prej tyre, konkretisht ndaj prokurorit K.Ll. në Sarandë. Aktualisht, për prokurorin ka në fuqi masën disiplinore “vërejtje publike” të caktuar nga KLP dhe është pezulluar nga detyra me vendim gjyqësor.
Në aspektin penal, një rast serioz ka sjellë pezullimin nga detyra të prokurorit A.Z. në Vlorë, pasi SPAK i ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për një sërë veprash penale të rënda, përfshirë korrupsion aktiv dhe pasiv, ushtrim ndikimi të paligjshëm, zbulim i të dhënave sekrete dhe trafikim i narkotikëve. Sipas raportit të KLP, pezullimi i tij do të zgjasë deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
Në përfundim rrëzimi i masave disiplinore nga KLP ngre pikëpyetje për efikasitetin e sistemit të përgjegjësisë së magjistratëve./ekofin.al
