Pas shqetësimeve të ngritura nga disa media dhe raportimeve të qytetarëve, UKT ka reaguar zyrtarisht, duke konfirmuar problemet e furnizimit me ujë në disa zona të Tiranës, që në fakt përkojnë edhe me territore ku janë ndërtuar ose po ndërtohen aktualisht komplekse vilash, me çmime marramendëse për metër katrorë, të cilat praktikisht kanë ose ujë pusesh, ose mangësi në furnizim, siç pranon UKT.
Vetëm se në njoftim, këtë herë, UKT nuk përmend shkakun klasik, atë të amortizimit të rrjetit, por nxjerr si shkak “pozicionin gjeografik” të zonave. Pra, të gjithë ata që kanë blerë ose po mendojnë të blejnë shtëpi ose vila në kodrat e Tiranës, duhet të mendohen mirë se sidomos në muajt e verës u “bie presioni” dhe mbeten pa ujë ose me kufizime në furnizim.
Njoftimi i UKT
Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT) informon qytetarët se në zonat Sauk i Vjetër; Sauk i Ri; Mjull-Bathore ka reduktim të përkohshëm të furnizimit me ujë të pijshëm, si pasojë e pozicionimit gjeografik të këtyre zonave në pjesën më të lartë të rrjetit, çka ndikon në presionin dhe kapacitetin e furnizimit, veçanërisht gjatë ditëve me konsum të lartë.
Kjo situatë është ndikuar edhe nga rritja e ndjeshme e konsumit në sezonin veror, për shkak të zhvillimit të shpejtë urban dhe shtimit të kërkesës për ujë të pijshëm.
Ekipet tona në terren po ndjekin nga afër situatën dhe po marrin masa për përmirësimin e saj, duke garantuar ndërkohë furnizim alternativ për të mbuluar nevojat e banorëve në këto zona, thuhet në njoftimin e UKT-së.
Autoriteti fton të gjithë qytetarët të bashkëpunojnë, të shmangin abuzimin me ujin e pijshëm dhe të respektojnë përdorimin e tij në funksion të komunitetit, për të garantuar një shpërndarje më të drejtë dhe të qëndrueshme për të gjithë. /ekofin.al
Artikull i Ekofin.al
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke
cituar “Ekofin.al”, shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

