Kadastra se shpejti do të nis edhe me dixhitalizimin e hartave krahas atij të arkivave. Është mbështetja e Bashkimit Evropian ajo që do të mundësoj edhe këtë projekt.
Përfaqësues të Delegacionit të BE-së në Tiranë, Hubert Perr, drejtor i Bashkëpunimit dhe Peter Danis, menaxher i projektit “BE për të Drejtat e Pronësisë” vizituan këto ditë Qendrën e Kadastrës Dixhitale në ASHK.
Përfaqësuesit e Delegacionit të BE-së u njohën nga afër me proceset e punës që realizohen në këtë Qendër, në mënyrë të veçantë me procesin e dixhitalizimit dhe skanimit të dokumentacionit dhe arkivit të pasurive të paluajtshme, proces i cili po zbatohet nga Kadastra Shqiptare me financim të qeverisë shqiptare.
Nga ana tjetër, Bashkimi Europian nëpërmjet Projektit “BE për te Drejtat e Pronësisë”, i financuar nga fondet IPA, është angazhuar për financimin e procesit të skanimit të hartave kadastrale të pasurive të paluajtshme.
Të dyja këto procese komplementare do të realizojnë dixhitalizimin e plotë të të dhënave kadastrale mbi pasuritë e paluajtshme, duke i hapur rrugë përmirësimit sistematik dhe korrigjimit të gabimeve dhe mangësive mbi këto të dhëna të trashëguara ndër vite, që ndikojnë direkt si në cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve ashtu dhe në zhvillimin e tregut të pasurive të paluajtshme.
Të dyja këto projekte së bashku, parashikojnë dixhitalizimin dhe skanimin e rreth 50 milionë dokumenteve dhe rreth 90 mijë planshetave hartografike, që mbulojnë të gjithë territorin e Republikës.
Sipas drejtorit të përgjithshem të ASHK-së, Artan Lame, përfundimi i këtyre dy projekteve do të pajisë Shqipërinë me një bankë pronash të dixhitalizuar të shpejtë, të saktë dhe të sigurt.