Një buxhet rekord për mbrojtjen dhe zgjerimi i programeve për raketa dhe dronë shënojnë një kthesë vendimtare për Japoninë, teksa ajo hap rrugën për t’u bërë shpenzuesja e tretë më e madhe ushtarake në botë.
Qeveria e Japonisë miratoi të premten një plan buxheti rekord për mbrojtjen, që tejkalon 9 trilionë jenë (48.82 miliardë euro) për vitin e ardhshëm, me synimin të forcojë kapacitetin e kundërgoditjes dhe mbrojtjen bregdetare përmes raketave lundruese dhe arsenaleve pa pilot, në një kohë kur tensionet në rajon po rriten.
Projektbuxheti për vitin fiskal 2026, që nis në prill, është 9.4% më i lartë se ai i vitit 2025 dhe shënon vitin e katërt të programit pesëvjeçar të Japonisë për dyfishimin e shpenzimeve vjetore të armatimit në 2% të prodhimit të brendshëm bruto. “Është minimumi i nevojshëm, pasi Japonia po përballet me mjedisin më të ashpër dhe më kompleks të sigurisë në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore,” tha ministri i Mbrojtjes Shinjiro Koizumi, duke theksuar vendosmërinë e vendit për të ndjekur rritjen ushtarake dhe për të mbrojtur popullin e tij. “Kjo nuk e ndryshon rrugën tonë si një komb paqedashës,” shtoi ai.
Shpenzuesja e tretë pas SHBA-së dhe Kinës
Plani i buxhetit kërkon miratim parlamentar deri në mars për t’u zbatuar si pjesë e projektligjit të buxhetit kombëtar prej 122.3 trilionë jenësh (663 miliardë euro). Programi pesëvjeçar i rritjes së mbrojtjes do ta bënte Japoninë shpenzuesen e tretë më të madhe në botë, pas Shtetet e Bashkuaras dhe Kinas.
Qeveria e kryeministres Sanae Takaichi planifikon të financojë rritjen e shpenzimeve ushtarake përmes rritjes së taksave për korporatat dhe duhanin, si dhe ka miratuar së fundmi një plan për rritje të tatimit mbi të ardhurat duke filluar nga viti 2027. Perspektivat për rritje të mëtejshme në një përqindje më të lartë të PBB-së mbeten të paqarta.
Takaichi deklaroi në nëntor se ushtria japoneze mund të përfshihej nëse Kina do të ndërmerrte veprime kundër Tajvanit, ishullit vetëqeverisës që Pekini thotë se duhet të vihet nën sundimin e tij. Qeveria e Takaichi-t, nën presionin e SHBA-së për rritje ushtarake, u zotua të arrijë objektivin 2% deri në mars, dy vjet më herët se sa ishte planifikuar. Japonia planifikon gjithashtu të rishikojë strategjinë e saj të sigurisë dhe mbrojtjes deri në dhjetor 2026 për të forcuar më tej ushtrinë.
Raketat dhe dronët forcojnë mbrojtjen me rreze të gjatë
Japonia po forcon kapacitetet e saj sulmuese me raketa me rreze të gjatë për të goditur objektiva armike nga distanca — një largim i madh nga parimi i pas Luftës së Dytë Botërore që kufizonte përdorimin e forcës vetëm në vetëmbrojtje. Strategjia aktuale e sigurisë, e miratuar në vitin 2022, e cilëson Kinën si sfidën më të madhe strategjike dhe bën thirrje për një rol më ofensiv të Forcave Japoneze të Vetëmbrojtjes në kuadër të aleancës së sigurisë me SHBA-në.
Plani i ri i buxhetit përfshin një blerje prej 177 miliardë jenësh (960.2 milionë euro) të raketave tokë–det Type-12 të zhvilluara dhe të përmirësuara në vend, me rreze rreth 1,000 kilometra. Grupi i parë i këtyre raketave do të dislokohet në prefekturën jugperëndimore Kumamoto deri në mars, një vit më herët se sa ishte planifikuar, teksa Japonia përshpejton ndërtimin e kapaciteteve raketore në rajon.
Pjesërisht për shkak të plakjes dhe rënies së popullsisë, si dhe vështirësive për të pasur personel të mjaftueshëm ushtarak, qeveria beson se armët pa pilot janë thelbësore. Për mbrojtjen e brigjeve, Japonia do të shpenzojë 100 miliardë jenë (542.5 milionë euro) për të vendosur dronë “masivë” ajrorë, sipërfaqësorë detarë dhe nënujore për mbikëqyrje dhe mbrojtje, në kuadër të një sistemi të quajtur “SHIELD”, i planifikuar për mars 2028, thanë zyrtarë të ministrisë së Mbrojtjes. Për vendosje më të shpejtë, Japonia planifikon fillimisht të mbështetet kryesisht në importe, ndoshta nga Turqia ose Izraeli.
Tensionet me Kinën rriten
Mosmarrëveshja u përshkallëzua këtë muaj kur stërvitjet e një aeroplanmbajtëseje kineze pranë Japonisë jugperëndimore e shtynë Tokion të protestojë pasi Kina bllokoi me radar një avion japonez, veprim që konsiderohet si përgatitje e mundshme për lëshim raketash. Ministria e Mbrojtjes, tashmë e alarmuar nga zgjerimi i shpejtë i operacioneve kineze në Paqësor, do të hapë një zyrë të re të dedikuar për studimin e operacioneve, pajisjeve dhe nevojave të tjera që Japonia të përballet me aktivitetin kinez në Paqësor.
Dy aeroplanmbajtëse kineze u panë në qershor duke operuar pothuajse njëkohësisht pranë ishullit jugor japonez Iwo Jima për herë të parë, duke shtuar shqetësimet e Tokios për zgjerimin e shpejtë të aktivitetit ushtarak të Pekinit përtej kufijve të tij dhe zonave rreth ishujve të kontestuar në Detin e Kinës Lindore.
Në Pekin, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian, tha se qeveria e Takaichi-t ka “përshpejtuar dukshëm ritmin e ndërtimit dhe zgjerimit ushtarak” që nga ardhja në pushtet. “Japonia po devijon nga rruga e zhvillimit paqësor që ka pretenduar prej kohësh se ndjek dhe po lëviz gjithnjë e më shumë në një drejtim të rrezikshëm,” tha ai.
Japonia planifikon zhvillim të përbashkët të fregatave dhe avionëve luftarakë
Japonia po synon të forcojë industrinë e saj kryesisht vendase të mbrojtjes duke marrë pjesë në zhvillime të përbashkëta me vende mike dhe duke promovuar shitjet jashtë vendit, pasi ka lehtësuar ndjeshëm kufizimet për eksportin e armëve vitet e fundit. Për vitin 2026, Japonia planifikon të shpenzojë më shumë se 160 miliardë jenë (867 milionë euro) për të zhvilluar së bashku me Britaninë dhe Italinë një avion luftarak të gjeneratës së ardhshme, me synim vendosjen në shërbim në vitin 2035. Po ashtu, ka plane për kërkim dhe zhvillim të dronëve të operuar me inteligjencë artificiale, të projektuar për të fluturuar së bashku me avionin.
Në një nxitje të madhe për industrinë japoneze të mbrojtjes, Mitsubishi Heavy Industries u përzgjodh nga Australia në gusht për të modernizuar fregatat e klasës Mogami, në mënyrë që të zëvendësojnë flotën e saj prej 11 anijesh të klasës ANZAC. /Përshtati nga Euronews, ekofin.al
