Qeveria japoneze ka miratuar një paketë të re stimuluese me vlerë 21.3 trilionë jenë (135.5 miliardë dollarë), raportoi NHK, ndërsa kryeministrja Sanae Takaichi synon të ringjallë ekonominë që po ngadalësohet dhe të lehtësojë presionet e inflacionit tek familjet.
Sipas NHK, paketa mbështetet në tre shtylla kryesore: frenimin e çmimeve në rritje, forcimin e ekonomisë dhe rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes dhe diplomacisë. Sipas mediave lokale, kjo është paketa më e madhe stimuluese që nga pandemia e Covid-19.
Masat përfshijnë rritjen e granteve për qeveritë lokale, subvencione për faturat e energjisë elektrike dhe gazit, si dhe heqjen e taksës mbi benzinën. Familjet standarde pritet të marrin rreth 7,000 jenë mbështetje për një periudhë tre mujore duke nisur nga janari.
Japonia gjithashtu do të krijojë një fond 10-vjeçar për zhvillimin e industrisë së ndërtimit të anijeve dhe planifikon rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 2% të PBB-së deri në vitin fiskal 2027. Qeveria synon të përgatisë shpejt një buxhet suplementar, që pritet të miratohet brenda vitit me mbështetjen e opozitës.
Megjithëse Partia Liberale Demokratike është në pakicë, aleanca e saj me Partinë e Inovacionit të Japonisë i siguron 231 vende në Dhomën e Ulët — vetëm dy më pak se shumica e nevojshme.
Kryeministrja Takaichi deklaroi se paketa do të financohet kryesisht nga të ardhurat e qeverisë, ndërsa pjesa e mbetur do të mbulohet me emetim obligacionesh shtetërore, në nivel më të ulët se 42.1 trilionë jenë të vitit të kaluar. Megjithatë, analistët paralajmërojnë se ky vendim mund të trazojë tregun e obligacioneve, ku rendimentet e 10-vjeçarëve arritën nivelin më të lartë që nga viti 2008.
Sfida ekonomike dhe inflacioni i lartë
Paketa vjen në një moment kur inflacioni në Japoni ka kaluar objektivin e Bankës së Japonisë për 43 muaj radhazi. Inflacioni total për tetorin u rrit në 3%, ndërsa inflacioni bazë arriti po 3%. Guvernatori i BoJ, Kazuo Ueda, paralajmëroi se yen-i i dobët mund të shtyjë më tej çmimet përmes kostove të importit.
Edhe ministrja e financave, Satsuki Katayama, shprehu shqetësim për luhatjet e yen-it dhe sinjalizoi se mund të ndërhyhet në tregjet valutore.
Rritja ekonomike është ngadalësuar ndjeshëm: PBB u tkurr me 0.4% në tremujorin korrik-shtator, ndërsa në bazë vjetore rënia ishte 1.8%. Megjithatë, të dhënat e tregtisë për tetorin sollën një notë pozitive, me eksportet që u rritën 3.6% në baza vjetore, të mbështetura nga kërkesa më e fortë në Azi dhe Evropë.
Kritikët theksojnë se masat aktuale ofrojnë vetëm lehtësim afatshkurtër për konsumatorët, ndërsa ekonomistët si Jesper Koll argumentojnë se Japonia ka nevojë për reforma të thella të ofertës, jo stimuj të përsëritur fiskalë, për të përballuar presionet inflacioniste dhe për të garantuar rritje të qëndrueshme./Përshtati nga CNBC News, ekofin.al

