iute Group, një grup bankar digjital i fokusuar në shërbimet financiare të jetës së përditshme në vende të Evropës Juglindore, shënoi rritje të të ardhurave në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2025.
Sipas Tarmo Sild, CEO i iute Group, gjashtëmujori i parë i vitit u karakterizua, nga njëra anë nga presioni mbi marzhet e fitimit dhe, nga ana tjetër, nga vijimi i investimeve strategjike për zhvillimin e një banke tërësisht digjitale. “Ne vijojmë transformimin drejt një banke digjitale, me synimin për të ofruar “superaplikacionin” fintech më të përdorur nga klientët, në secilin prej tregjeve ku operojmë. Shërbimet bankare të së ardhmes do të bazohen në oferta të personalizuara. Ne duhet të jemi në vendin e duhur, në momentin e duhur, me ofertën e duhur, duke integruar kreditë, pagesat, depozitat dhe sigurimet në një kombinim produktesh të përshtatur individualisht për secilin klient” -u shpreh Sild.
Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, iuteBank nisi ofrimin e shërbimeve digjitale për klientët ekzistues në Ukrainë dhe lançoi aplikacionin Myiute, duke vënë në dispozicion shërbimet e para thelbësore bankare. Klientët tashmë kanë akses në llogari rrjedhëse, depozita, transferta bankare përmes IBAN-it dhe shërbime të këmbimit valutor. Paralelisht, grupi vijoi procesin e transformimit digjital të bankës Energbank në Moldavi.
Numri total i shkarkimeve të aplikacionit Myiute u rrit me 9.8%, duke arritur në 1.82 milionë shkarkime deri në fund të muajit Qershor. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, përmes portofolit digjital Myiute u përpunuan rreth 2.7 milionë transaksione, 4.7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Edhe shërbimet e sigurimit vijuan të shënojnë rritje të shpejtë, me të ardhurat nga ndërmjetësimi i sigurimeve që u rritën me 59.6% krahasuar me një vit më parë, duke përbërë 5.7% të të ardhurave totale të Grupit. Sipas Sild, rritja e shërbimeve të sigurimit dëshmon përpjekjet e iute për të ndërtuar një biznes bankar digjital më të diversifikuar. “Ne kemi rritur të ardhurat, ndërsa në të njëjtën kohë kemi vijuar të investojmë në zhvillimin e kapaciteteve të reja. Synimi ynë është të zhvillojmë me shpejtësi ofertat dhe propozimet tona me vlerë të shtuar dhe të identifikojmë shërbimet për të cilat klientët kanë realisht nevojë dhe janë të gatshëm të paguajnë”, u shpreh Sild.
Në fund të muajit Qershor, portofoli bruto i kredive të grupit iute arriti shënoi një rritje prej 5.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. iute vijoi t’i japë përparësi cilësisë së portofolit, duke vendosur një qasje më të kujdesshme ndaj rritjes së volumit të kredive. Norma e miratimit të aplikimeve për kredi u ul nga 61% në 52% në terma vjetorë, ndërsa treguesi i disiplinës së shlyerjes CPI30 u përmirësua nga 87.9% në 89.3%, duke reflektuar një përmirësim të cilësisë së portofolit dhe të performancës së shlyerjeve.
iute Group e mbylli gjashtëmujorin e parë të vitit me një rezultat neto pozitiv. Sipas Tarmo Sild, CEO i iute Group, rezultati neto u ndikua nga rritja e kostos së financimit, kryesisht si pasojë e emetimit shtesë të obligacioneve Eurobond. “Rritja e bazës së financimit nënkupton kosto më të larta interesi në periudhën afatshkurtër, por njëkohësisht na siguron një bazë të qëndrueshme dhe të parashikueshme financimi për vitet e ardhshme të rritjes. Tashmë, fokusi ynë është të përdorim këtë kapital në mënyrë sa më efikase”, u shpreh Sild.
iute Group është një grup bankar dixhital i fokusuar në shërbimet e përditshme financiare në Evropën Juglindore. E themeluar në vitin 2008 dhe me seli në Estoni, iute u shërben klientëve në Shqipëri, Bullgari, Moldavi, Maqedoninë e Veriut dhe Ukrainë. Përmes aplikacionit Myiute dhe operacioneve të tij lokale, iute ofron shërbime financiare dixhitale duke përfshirë pagesat, banking, financimin dhe ndërmjetësimin në sigurime. Grupi iute financon operacionet e tij përmes kapitalit, depozitave dhe obligacioneve të siguruara të listuara në Tregun e Rregulluar të Bursës së Frankfurtit dhe Listën Kryesore të Nasdaq Baltic.
