Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë investime në sektorët me vlerë të shtuar, duke u pozicionuar si një destinacion i rëndësishëm për industrinë e teknologjisë dhe inovacionit. Ky ishte mesazhi kryesor i ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë inaugurimit të selisë së re të kompanisë italiane Lutech në Tiranë.
“Vendimi i Lutech për të zgjeruar praninë e saj në Shqipëri dhe për të investuar në fusha strategjike si Inteligjenca Artificiale, Analiza e të Dhënave, Cloud Computing dhe Transformimi Digjital është një votë e fortë besimi për talentin shqiptar dhe për perspektivën e ekonomisë sonë”, deklaroi ministrja.
Ajo theksoi se Shqipëria po hyn në një fazë të re zhvillimi ekonomik, ku investimet nuk orientohen vetëm drejt sektorëve tradicionalë, por gjithnjë e më shumë drejt teknologjisë, dijes dhe inovacionit. Në këtë kontekst, fakti që mbi 250 profesionistë shqiptarë janë tashmë pjesë e Qendrës Globale të Kompetencës së Lutech në Tiranë, sipas saj, dëshmon cilësinë dhe potencialin e burimeve njerëzore shqiptare.
Ministrja vuri theksin edhe te rëndësia e investimeve në aftësitë profesionale dhe digjitale, duke i konsideruar ato si themelin e një ekonomie konkurruese në tregun evropian.
“Zhvillimi i kapitalit njerëzor mbetet një nga prioritetet tona kryesore. Investimet në arsimin profesional, aftësitë digjitale dhe lidhjen mes universiteteve dhe tregut të punës janë thelbësore për të ndërtuar një ekonomi konkurruese dhe të orientuar drejt inovacionit”, u shpreh Ibrahimaj.
Në përfundim, Ibrahimaj e cilësoi investimin si një kapitull të ri në marrëdhëniet ekonomike mes Shqipërisë dhe Italisë, duke theksuar se ambicia e vendit mbetet ndërtimi i një ekonomie moderne, të mbështetur te teknologjia, punësimi i kualifikuar dhe integrimi i plotë në hapësirën ekonomike evropiane.
“Shqipëria mbetet e hapur ndaj investimeve që sjellin dije, teknologji, punësim të kualifikuar dhe vlerë afatgjatë. Ambicia jonë është të ndërtojmë një ekonomi moderne, inovative dhe plotësisht të integruar në hapësirën ekonomike evropiane”, tha ministrja.

