Këshilli administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore zhvilloi sot mbledhjen e radhës nën drejtimin e kryetares së tij, ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ku miratoi rezultatin financiar të institucionit për vitin 2025.
Sipas të dhënave të prezantuara në mbledhje, të ardhurat kontributive të drejtpërdrejta për vitin 2025 u realizuan në masën 154,7 miliardë lekë, me një tejkalim prej rreth 1,332 milionë lekësh ose 101% kundrejt planit të parashikuar.
Në analizën e paraqitur u evidentua se, si rezultat i punës kundër informalitetit të pagave, të ardhurat shënuan një rritje prej 10,9% krahasuar me vitin 2024.
Po ashtu, numri i kontribuuesve që kanë kontribuar drejtpërdrejt në skemën e sigurimeve shoqërore gjatë vitit 2025 arriti në 839,910 persona, rreth 31,5 mijë më shumë krahasuar me një vit më parë, ose 3,9% më shumë.
Këshilli Administrativ miratoi gjithashtu projektvendimin e Këshillit të Ministrave për përditësimin e mënyrës së llogaritjes së pagës maksimale, për përllogaritjen e kontributeve për kategoritë që kanë detyrimin për pagesën e tyre, si dhe përjashtimin e pensionistëve të vetëpunësuar nga detyrimi për pagesën e kontributit të sigurimit shoqëror.
Gjatë fjalës së saj, ministrja, Delina Ibrahimaj, vlerësoi punën e bërë në drejtim të mbajtjes së shpenzimeve brenda limiteve të programuara, performancën financiare pozitive të ISSH-së, rritjen e numrit të kontribuuesve dhe qëndrueshmërinë e skemës së sigurimeve shoqërore.
Ndërsa kreu i ISSH, Hado theksoi rëndësinë e mirëadministrimit të skemës, si dhe realizimin e shpenzimeve sipas programit të buxhetit të miratuar nga Kuvendi.
“Instituti i Sigurimeve Shoqërore mbetet i angazhuar në realizimin e objektivave strategjikë për vitin 2026, me fokus rritjen e të ardhurave kontributive, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët dhe zbatimin në kohë të politikave qeveritare dhe transfertave në buxhetet familjare”, theksoi ai. /atsh

