Qeveria shqiptare në bashkëfinancim me BERZH-in, me një fond mbi 64,6 milionë euro do të investojnë në ngritjen e mikroqendrave ushqimore ose të quajtura ndryshe Hub Food-e në mbështetje të fermerëve për rritjen e konkurrueshmërisë dhe zinxhirëve prioritarë agroushqimorë, nëpërmjet ndërhyrjeve në promovimin e bujqësisë inteligjente klimatike dhe aksesit në tregje.
Gjithashtu, financimi synon rritjen e standardeve të sigurisë dhe cilësisë së ushqimit, si dhe forcimin e kapaciteteve të analizave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Nëpërmjet këtij financimi pritet mbështetje më e madhe për zhvillimin e qendrave mikro-ushqimore në zonat periferike të qyteteve kryesore në rajonet e përzgjedhura për të ofruar akses më të mirë në treg për prodhuesit vendas.
Me anë të financimit, synohet zhvillimi i grupeve tipike të produkteve ushqimore, apo zinxhirëve të vlerës në zona të caktuara me qëllim investimin në drejtim të shtimit të vlerës së produktit, apo transformimin e tij si dhe zhvillimi i një platforme informative për bujqësinë inovative klimatike për të mbledhur të gjithë informacionin përkatës, si llojin e tokës, të dhënat hidrometeorologjike, sensorë për lagështinë e tokës, praktikat bujqësore dhe për të drejtuar fermerët drejt adoptimit të praktikave elastike bujqësore.
Marrëveshje e kredisë me vlerë 64,6 milionë euro nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) është dërguar për miratim në Kuvend.

