Bazuar në të dhënat e AKEP për tremujorin e parë të vitit 2026, tabloja e tregut të komunikimeve elektronike në Shqipëri po ndryshon me ritme të shpejta: interneti po përdoret gjithnjë e më shumë, ndërsa telefonatat dhe SMS-të po humbasin terren përballë aplikacioneve të komunikimit online.
Përdorimi i internetit celular vijon të rritet me ritme dyshifrore, ndërsa komunikimi tradicional po zbehet nga viti në vit. Sipas raportit të AKEP, trafiku i të dhënave në rrjetet celulare arriti në 68.3 milionë GB gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, duke shënuar një rritje të fortë prej 22.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Në të njëjtën kohë, volumi i telefonatave dalëse ra me 5.9%, ndërsa numri i SMS-ve të dërguara u tkurr me 11.6%.
Rritja e përdorimit të internetit reflektohet edhe në konsumin mesatar për përdorues. Gjatë T1 2026, një përdorues aktiv konsumoi mesatarisht 11.12 GB internet në muaj, ose 20.7% më shumë se një vit më parë. Në të kundërt, përdorimi mesatar i telefonatave ra në 126 minuta në muaj, me një ulje prej 6.2%, ndërsa SMS-të ranë në vetëm 11 mesazhe në muaj, 11.9% më pak se në T1 2025.
Kjo tendencë tregon se qytetarët po zhvendosin gjithnjë e më shumë komunikimin e tyre drejt platformave si WhatsApp, Messenger apo Telegram, të cilat përdorin internetin dhe zëvendësojnë telefonatat tradicionale dhe SMS-të.
Edhe pse numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare mbeti pothuajse i pandryshuar, me rreth 2.42 milionë përdorues dhe një rritje minimale prej 0.3% krahasuar me një vit më parë, përdorimi i tyre po orientohet gjithnjë e më shumë drejt internetit. Numri i përdoruesve aktivë të aksesit broadband celular arriti në 2.05 milionë, me rritje 1.4% në baza vjetore.
Në anën tjetër, tregu i telefonisë tradicionale po tkurret. Telefonatat dalëse nga rrjetet celulare ranë në 916.9 milionë minuta nga 974.5 milionë minuta një vit më parë. Rënia ka prekur si telefonatat brenda të njëjtit operator (on-net), të cilat ranë me 6.9%, ashtu edhe ato drejt operatorëve të tjerë (off-net), që u ulën me 4.5%.
Fenomeni është edhe më i dukshëm në telefoninë fikse, e cila vijon të humbasë abonentë. Në fund të marsit 2026 numri i abonentëve të telefonisë fikse zbriti në rreth 148 mijë, me një rënie prej 6.7% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025.
Paralelisht, interneti fiks vazhdon të zgjerohet. Numri i abonentëve me akses broadband fiks arriti në 705 mijë, me një rritje prej 3.5% në krahasim me një vit më parë. Veçanërisht po rritet segmenti i abonentëve që përdorin vetëm internet, pa telefon apo televizon të integruar, i cili u zgjerua me 6.5% në baza vjetore.
Të dhënat e AKEP konfirmojnë se tregu shqiptar i komunikimeve elektronike po kalon nga modeli tradicional i komunikimit me zë dhe SMS drejt atij të dominuar nga interneti. Rritja e vazhdueshme e trafikut të të dhënave dhe tkurrja e telefonatave e mesazheve tregojnë se aplikacionet dixhitale po bëhen mjeti kryesor i komunikimit për qytetarët dhe bizneset, duke transformuar mënyrën se si përdoret infrastruktura e telekomunikacioneve në vend. /ekofin.al
