Eksportet e mallrave në muajin mars arritën vlerën 33 miliardë lekë, duke u rritur me 3,4 %, në krahasim me shkurt 2024. Por ato ishin 21 % më të ulëta, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
INSTAT publikoi sot raportin e tregtisë së jashtme për muajin mars.
Sipas këtij raporti, në rënien vjetore të eksporteve prej 21 %, negativisht kanë ndikuar grupet “tekstile dhe këpucë” me 7,2 pikë përqindje, “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 5,8 pikë përqindje, materiale ndërtimi dhe metale” me 4,6 pikë përqindje, etj.
Ndërkohë, importet e mallrave arritën vlerën 75 miliardë lekë, duke u ulur me 7 %, në krahasim me një vit më parë dhe duke u rritur me 1,3 %, në krahasim me shkurtin e 2024-ës.
Deficiti tregtar i këtij muaji është 42 miliardë lekë, duke u rritur me 8,3 %, krahasuar me marsin e 2023-shit dhe duke u ulur me 0,4 %, në krahasim me shkurtin e 2024-ës.
