Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin maj 2026, duke zbatuar klasifikimin e ri COICOP 2018 me vit bazë 2025 dhe një metodologji të përditësuar. Sipas të dhënave zyrtare të prezantuara në këtë raport, shkalla e inflacionit vjetor në Kosovë ka arritur në 6,8 për qind.
Megjithatë, në nivel mujor është shënuar një rënie e lehtë e çmimeve prej 0,4 për qind, kur krahasohet muaji maj me muajin prill të këtij viti.
Sipas ASK-së, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit në maj 2026 ishte 6,8 për qind më i lartë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo rritje vjetore është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i madh në sektorin e transportit me 14,1 për qind, si dhe në grupin e strehimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve të tjera djegëse me 13,2 për qind.
Rritje të çmimeve janë regjistruar edhe te pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët me 5,6 për qind, restorantet dhe shërbimet e akomodimit me 5,3 për qind, ushqimet dhe pijet joalkoolike me 5,1 për qind, si dhe në shëndetësi me 4,1 për qind.
Ndërkaq, mobiljet dhe pajisjet shtëpiake u shtrenjtuan me 3,6 për qind, krahas rritjeve më të vogla në kategoritë e rekreacionit, veshjeve dhe komunikimit. E vetmja kategori që shënoi rënie në nivel vjetor ishin shërbimet arsimore me 0,6 për qind.
Sa i përket ndryshimeve brenda muajit, rënia prej 0,4 për qind në maj krahasuar me prillin 2026 u diktua kryesisht nga ulja e çmimeve të transportit me 2,0 për qind, strehimit dhe energjisë me 0,7 për qind, si dhe ushqimeve e pijeve joalkoolike me 0,2 për qind. Nga ana tjetër, edhe gjatë këtij muaji pati rritje të lehta te pijet alkoolike, duhani dhe shëndetësia me nga 0,7 për qind secila, te mobiljet me 0,6 për qind, si dhe në kategoritë e informacionit, veshjeve dhe shërbimeve të restoranteve./Scantv

