Inflacioni në Eurozonë u rrit në 3.3% në gusht 2026, nga 2.9% në korrik, sipas një vlerësimi paraprak të Eurostat-it, zyrës statistikore të Bashkimit Evropian.
Rritja u shkaktua kryesisht nga energjia, pasi çmimet globale të naftës dhe gazit u rritën ndjeshëm mes luftës në Iran dhe ndërprerjeve të transportit detar përmes Ngushticës së Hormuzit. Çmimet e energjisë u rritën me 14.3% në vitin deri në gusht, nga 10.3% në korrik.
Leo Barincou, ekonomist i lartë në Oxford Economics, tha: “Kjo u shkaktua nga një rikthim i çmimeve të karburanteve pas mbylljes së sërishme të Ngushticës së Hormuzit, ndërsa presionet bazë mbi çmimet mbetën të kontrolluara, pasi inflacioni i shërbimeve u ul. Inflacioni pritet të mbetet dukshëm mbi objektivin edhe gjatë vitit të ardhshëm, pasi çmimet më të larta të gazit dhe ushqimeve do të ushtrojnë presion shtesë në rritje mbi indeksin.”
Çmimet e ushqimeve, alkoolit dhe duhanit u rritën me 1.2%, e njëjtë me rritjen e regjistruar në korrik.
Inflacioni i shërbimeve — një tregues më i qëndrueshëm, i ndjekur nga afër nga Banka Qendrore Evropiane — u ul nga 3.3% në 3.0%.
Në bazë mujore, çmimet e përgjithshme në eurozonë u rritën me 0.4% në gusht, ndërsa vetëm çmimet e energjisë u rritën me 2.9%.
Në të njëjtën kohë, inflacioni bazë, i cili përjashton energjinë, ushqimet, alkoolin dhe duhanin, ra lehtë nga 2.5% në 2.4%. Kjo sugjeron se rritja e kostove të energjisë ende nuk është përhapur në mënyrë të gjerë te shërbimet dhe çmimet e tjera.
Ndër vendet e Eurozonës të përfshira në vlerësimin paraprak të gushtit, Lituania regjistroi normën më të lartë të inflacionit, në 5.8%, ndërsa Estonia kishte normën më të ulët, në 1.3%.
Ndër ekonomitë më të mëdha, inflacioni në Francë dhe Gjermani, përkatësisht 2.7% dhe 2.9%, mbeti nën normën e përgjithshme të eurozonës. Franca, megjithatë, regjistroi një rritje të dukshme nga 2.4% në 2.7%.
Spanja u veçua me një inflacion prej 4.5%, dukshëm mbi mesataren e eurozonës, ndërsa norma e Italisë arriti në 3.2%.
Inflacioni në eurozonë është ndjeshëm mbi objektivin prej 2% të Bankës Qendrore Evropiane. Tregjet presin që BQE-ja të rrisë normat e interesit me 0.25 pikë përqindjeje në mbledhjen e saj më 10 shtator, ndërsa politikëbërësit përpiqen të frenojnë presionet mbi çmimet.
“Me inflacionin që vijon të përshpejtohet, BQE-ja është pothuajse e sigurt se do të rrisë normat në mbledhjen e javës së ardhshme, në përputhje me pritshmëritë tona”, tha Barincou.
“Megjithatë, ndryshe nga tregjet, ne mendojmë se është ende herët për të parashikuar një rritje të tretë të normave, veçanërisht duke pasur parasysh se presionet bazë mbi çmimet mbeten të kontrolluara për momentin”, shtoi ai./Përshtati nga Euronews, ekofin.al

