Inspektori i Lartë i Drejtësisë, sipas ligjit, është autoriteti përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore dhe për fillimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm. ILD ka gjithashtu tagër për inspektimin institucional të gjykatave dhe të zyrave të prokurorisë.
Sa efektiv ka qenë ILD në 2024?
Sipas raportit, gjatë vitit 2024 u depozituan 1491 ankesa të reja, mirëpo vetë institucioni kishte të mbartura 1363 ankesa nga viti 2023, ndaj në total ILD duhet të shqyrtonte 2854 kërkesa.
Sipas të dhënave, insitucioni arriti të shqyrtonte vetëm 1374 ankesa, ndërsa 1480 të tjera janë mbartur për vitin 2025.
Peshën më të madhe të ankuesve e ka qarku i Tiranës me 284 ankues (36% të ankuesve), ndjekur nga qarku Vlorë dhe qarku Durrës, respektivisht 91 dhe 81 ankues (12% dhe 10% të ankuesve). Ndërsa qarqet të cilat shënojnë numrin më të ulët të ankuesve janë qarku Dibër, qarku Gjirokastër dhe qarku Kukës, respektivisht me 16, 19 dhe 10 ankues (2%, 2% dhe 1% të ankuesve).
Nga analiza e informacionit lidhur me regjistrimin dhe trajtimin e ankesave vihet re se 576 ankues (74%) kanë depozituar pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë vetëm 1 ankesë, ndërsa 189 ankues (24%) kanë depozituar më shumë se një ankesë, për të njëjtin subjekt. Ky mund të jetë një tregues se ankesat bien në vesh të shurdhët ose mungon mekanizmi orientues që subjektet të paraqesin ankesë në përputhje me elementët e kërkuar të saj.
Cili ishte fati i kërkesave që u shqyrtuan në 2024?
Siç dëshmohet nga të dhënat, nga 1374 ankesa, 993 janë arkivuar pas shqyrtimit fillestar, ndërsa 327 janë arkivuar pas verifikimit dhe vetëm 54 ankesa u përfunduan me hetim disiplinor.
642 ankesa ose 47% e tyre janë pretendime ndaj magjistratëve gjyqtarë, ndërsa 357 ankesa ose 26% e tyre ndaj magjistratëve prokurorë. Përqindjen më të mëdhe sipas insitucioneve e zë Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm me 15 % dhe Gjykata e Shkallës së parë të Juridiksioni të Përgjithshëm Tiranë me 12%. Ndërsa sipas prokurorive Prokuroria e Tiranës me 201 ankesa të shqyrtuara ose 14% dhe më pas ajo e Durrësit me 62 ankesa.
Nisur nga shqyrtimi i objektit të ankesave, pretendimet kryesore kanë të bëjnë veçanërisht me zgjidhjen e çështjes gjyqësore dhe vlerësimit të provave nga gjykata respektive; vonesat në shpalljen dhe arsyetimin e vendimeve gjyqësore; kryerjen ose moskryerjen e veprimeve hetimore, apo vlerësimin e provave të grumbulluara nga organi hetimor gjatë procesit hetimor; vendimmarrja e padrejtë, zvarritja e gjykimit etj.
Sipas natyrës, dominojnë çështjet penale me 783 ankesa. Në përfundim të shqyrtimit të ankesave, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka dalë vetëm me 23 vendime për hetim disiplinor ndaj 25 magjistratëve, ndërsa pjesa tjetër e ankesave janë arkivuar. /ekofin.al

