Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj debatoi sot me opozitën në seancën plenare të Kuvendit ku prej dy ditësh po vijon diskutimi i projektbuxhetit të vitit 2022.
Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës për borxhin publik, ministrja Ibrahimaj tha se borxhi i marrë nga kjo qeveri është përkthyer në rritje ekonomike dhe investime publike, ndryshe sa ka ndodhur gjatë qeverisjes së djathtë.
“Borxhi që të jetë i shëndetshëm duhet të përkthehet në rritje ekonomike dhe duhet që raporti i rritjes ekonomike mbi deficitin të jetë mbi 1. Ky tregues shkoi në vitin 2013 kur opozita e sotshme ishte në pushtet në 0.3. Pra i gjithë borxhi i marrë nga ju nuk u përkthye në rritje ekonomike. Rritja ekonomike ra në 1%”, tha Ibrahimaj.
Sipas saj, u deshën dy vite për të reduktuar deficitin edhe borxhin, duke konsoliduar financat publike dhe duke treguar qëndrueshmëri të politikave ekonomike që kanë dhënë zhvillim.
“Këtë nuk e tregon vetëm rritja ekonomike, por edhe ulja e normës së papunësisë, rritja e pagave dhe e mirëqenies për qytetarin. Buxheti dhe politikat ekonomike të ndërmarra nga kjo qeveri janë përshëndetur nga çdo institucion financiar ndërkombëtar si për efektshmërinë dhe për kohën e vendimmarrjes”, deklaroi ministrja.