Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi sot se ekosistemi i startup-eve në Shqipëri është shndërruar në një histori suksesi, teksa u shpallën fituesit e skemës Grant 2026 të programit Innovation4Albania (I4A), i cili këtë vit mbështetet me një fond prej 6 milionë eurosh.
Në aktivitetin për shpalljen e startup-eve dhe inkubatorëve/akseleratorëve fitues, Ibrahimaj u shpreh se slogani “Të ndërtojmë nga Shqipëria” përfaqëson të gjithë sipërmarrësit që besojnë se idetë e tyre mund të kontribuojnë në ndërtimin e ekonomisë së të ardhmes.
“Ekonomia e ekosistemit të startup-eve në Shqipëri tashmë është kthyer në një histori suksesi. Në vitin 2022 u zotuam të mbështesnim startup-et me 10 milionë euro, ndërsa sot kjo mbështetje ka arritur në 16,5 milionë euro. Rezultatet e thirrjeve të para na kanë shtyrë të rrisim financimin dhe numrin e përfituesve”, tha ministrja.
Sipas saj, këtë vit janë regjistruar 1 917 aplikime, trefish më shumë se në thirrjen e mëparshme, çka ka nxitur zgjerimin e skemës së mbështetjes.
Ibrahimaj bëri të ditur se mosha mesatare e themeluesve të startup-eve është 33 vjeç, ndërsa janë regjistruar 417 aplikime nga gra. Ajo theksoi se 34,4% e startup-eve të financuara në Shqipëri drejtohen nga gra, krahasuar me mesataren europiane prej 16%.
“Kjo është rezultat i talentit dhe përkushtimit të grave, por edhe i politikave të qeverisë për t’i mbështetur ato”, u shpreh ministrja.
Ajo nënvizoi se mbështetja për startup-et tashmë shtrihet në të gjitha qarqet e vendit dhe në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, ndërsa këtë vit financohen për herë të parë edhe inkubatorët ekonomikë dhe universitetet që punojnë për ta kthyer kërkimin shkencor në produkte me vlerë për tregun.
Ministrja theksoi gjithashtu se qeveria po krijon mekanizma të rinj financiarë, përfshirë grante dhe kredi për startup-et, ndërsa po forcon lidhjet me ekosistemet ndërkombëtare të inovacionit, me synimin për ta kthyer Tiranën në një qendër rajonale të inovacionit.
“Ne po hartojmë politika për të nxitur të rinjtë të zhvillojnë idetë e tyre në Shqipëri dhe për të tërhequr talentet që të kthehen e të investojnë këtu. Sot ekosistemi i startup-eve në Shqipëri vlerësohet ndër më dinamikët në Ballkanin Perëndimor”, tha ajo.
Ibrahimi bëri të ditur se këtë vit, për herë të parë, do të financohen inkubatorët ekonomikë të ekosistemeve të startup-eve në universitete, që punojnë për ta shndërruar kërkimin shkencor në produkte me vlerë për tregun.
Ajo theksoi se institucionet janë sot më pranë inovatorëve, ndërsa iniciativa “Startup Albania” po konsolidohet si një markë e ekosistemit të inovacionit në vend. Sipas saj, teknologjia është vënë në shërbim të qytetarëve, me dixhitalizimin e shërbimeve publike përmes e-Albania dhe me integrimin e inteligjencës artificiale në administratën publike, për të rritur cilësinë e shërbimeve dhe për të mbështetur biznesin. Ministrja nënvizoi gjithashtu se po forcohen lidhjet mes startup-eve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare, me synimin për ta kthyer Tiranën në një qendër rajonale të inovacionit.
“Po hartojmë politika që nxisin të rinjtë të zhvillojnë idetë e tyre në Shqipëri, si dhe të rikthejnë talentet shqiptare për të investuar dhe ndërtuar të ardhmen këtu. Sot ekosistemi i startup-eve në Shqipëri vlerësohet ndër më dinamikët në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Ibrahimaj./ATSH

