Në datat 23 – 26 prill 2025, Guvernatori Sejko merr pjesë në Mbledhjet e Pranverës të FMN-së dhe BB-së, të cilat zhvillohen në Uashington DC, SHBA, njofton Banka e Shqipërisë.
Këto mbledhje përfaqësojnë një forum të nivelit të lartë, ku vendimmarrësit më të lartë të FMN-së dhe BB-së, së bashku me guvernatorët dhe ministrat e financave të vendeve anëtare në këto institucione ndërkombëtare financiare, mblidhen së bashku për të diskutuar zhvillimet më të fundit të ekonomisë botërore.
Banka e Shqipërisë po përfaqësohet në këto takime me një delegacion të kryesuar nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko si dhe drejtues të tjerë të lartë.
Gjatë punimeve të mbledhjeve, Guvernatori Sejko do të zhvillojë takime dypalëshe me përfaqësues të FMN-së dhe BB-së, për të prezantuar zhvillimet më të fundit ekonomike në Shqipëri, reformat strukturore të ndërmarra dhe pritshmëritë për stabilitetin financiar e monetar të vendit.
Pjesëmarrja në këto mbledhje dëshmon angazhimin e Bankës së Shqipërisë për të ndjekur politika të qëndrueshme ekonomike dhe për të thelluar bashkëpunimin me institucionet ndërkombëtare në funksion të zhvillimit të mëtejshëm të vendit.
